1.Është nëntor
Është nëntor dhe po del vjeshta,dimri,gati,po troket
Unë po digjem porsi eshka(digjem eshkë me të vërtetë)
Nuk po digjem dashurisë se më mpleksi diku malli
Por po digjem nostalgjisë,jo nga malli,po nga halli.
Halli i madh që qenka ikja,veç kush ikën më jep hak
Se nga mendja sa s’ndërliqa,se në zemër kam farmak
Jam farmak e shkuar pelinit,i pi grahmat me filxhan
Zemra e vrarë e Përparimit,si duron dhe nuk bën bam!…
3 nëntor 2000
2.Këtu qeshë e këtu rrojta
Gjysh-stërgjyshi këtu qeshë;këtu qeshë e këtu rrojta
Rrugën nuk e pata shesh;herë përpjetë e herë me gropa.
GJysh-stërgjyshi s’rrojta mirë,porse rrojtja më “pëlqeu”
Se është vendi im i mirë;me kërkënd nuk e këmbej.
E,që thoni,mor Zotërinj,(thatë apo nuk thatë gjëkafshë?!)
Po lë vendin e florinjtë,një copëherë po vete jashtë
Unë e di se ku do shkoj,ka gradaciella e pallate
Vendin tim unë s’e ndërroj,me flori të mbushur kate.
Në s’kam qenë bir Oxhaku,në s’kam patur unë çifligje
Për Shqipëri më rreh gjaku,jam mburojë prej çdo të lige.
Për flamur të kuq të saj dhe për zhgabën mu në mes
Do më zërë sa herë vaj dhe nga malli,për të,vdes.
3 nëntor 2000
3.Kur do nisem
Kur do nisem që të shkoj,gjer andej,në Amerikë
Më ka mbetur veç një javë(vij vërdall si rakitik)
Do lë miq e do lë shokë që i dua dhe më duan
Zemra ime sa s’bie copë,gati lotët më shpëtuan.
Ca më thonë që të gëzohem,e të nisem sa më parë!
Unë sa vij e ligështohem:për çdo gjë unë kam mall
Se më janë të gjithë të shtrenjta:edhe vende,edhe rrugë
Dhe,sado që janë të shkreta,mua më ikin lotët çurgë.
3 nënëtor 2000
4.Seç këlthet një zogë e gjorë
Seç këlthet një zogë e gjorë,thellë në pyll a s’di se ku?!
Mua ma bëri zemrën borë;po mbërdhij që ububu!
Se,siç duket,humbi birin,nuk e gjeti në fole
Mua ma këputi shpirtin;nga kjo klithmë më s’po fle.
Se kjo klithmë ma vrau shpirtin:edhe unë si zogu i gjorë
Pak ng pak,thahem i gjithi:zemra është e gjitha borë!
Po marrë rrugët e kurbetit,tash që jam në vërsë të ikur
Sikur shkoj drejt qametit:unikal dhe i goditur.
4 nëntor 2000
5.Hidhërim apo gëzim
Ditët numëroj me gishta;m’u shkurtua mua litari
Data 9 më është dita kur do nisem për tek djali
Që është larg së këndejmi:mu në fund të Amerikës
Unë fshatar e bir fshatari,do zë ballin e Floridës.
“U soll moti për së mbari”,seç e thotë një këngë shkodrane
Nisem unë bashkë me Sikën,fluturojmë mbi oqeane
Ne që s’dilnim nga shtëpia,porse brenda ,në “rrethim”
Tash do bëhemi të”bredhur”(hidhërim apo gëzim?!…)
6 nëntor 2000
6.Tani
Tani s’e mohoj:jam,tamam,si derr i kënaqur
Notoj në mes të mirave dhe bollëkut
Por shpirtin,ama,e kam të mardhur
Me sy si çapkëne më thërret Shqipëria e më thotë:
-Hë,edhe sa do rrish pa ardhur?!…
22 nëntor 2000
7.Në Orlando
-Do shkojmë në Orlando,- dëgjoj tim bir të më thotë
-Do të shohësh se ç’mrekulli?
I hipëm makinës dhe,sa sosëm në Orlando
U befasova?Thashë:-Jo.Është magji.
Çudira që të luante çargu i kokës
Atje:gjithë mrekullitë e botës!
Por prapë seç ndjeva një boshësi?!!!
Po thosha me vete:-Ku të kam,Shqipëri?!…
22 nëntor 2000
8.Shtëpia ime
Shtëpia ime,e mbyllur me kyç
Dy javë ka që pret dikush ta hapë
Dua që andej të sulem yrysht
T’i them:-Më prit se kthehem për pak.
Shtëpia ime e mbyllur me kyç
Ka mbetur si jetime
Një lot malli më bie sysh
Zemra copë e thërrime.
I them asaj që t’më presë
Se pa u kthyer atje,nuk vdes.
22 nëntor 2000
9.Shokëve të mi
Ja,tek shkojnë një nga një tek”Kashtorja”(1)
-Usta,na sill na një godë me raki!
Mungon dikushi që i pëlqen faqorja
Mungon ai që raki klubi nuk pi?!
Jam unë ai që nuk pija raki klubi
Mos e prisni:-Humbi…humbi…
1.klub në FIer ku kthenim nga një godë
23 nëntor 2000
10.Sylariska
Po ku je,moj sylariskë,ah,sa kohë kam pa të parë
Unë me ty jam lidhur pisk;dot nuk e këpus litar.
Hajd,të lutem.,zgjidhëm pak;se e sheh jam lidhur pisk
Vetëm ti,o moj zambak,hallit tim do t’i vësh pikë.
23 nëntor 2000
11. * * *
Një rrip i këmishës të varet mbi krah
Seç të feksi gjiri si diell në sabah
Unë perëndova sytë,se m’i vrau “diellI”
Ah,ky gjiri yt,seç më ndjellë,i mjeri!
Dua të them një fjalë,po më mbetë në fyt
Trupi yt si ngjalë(lylyver nga sytë!)
Vër dorën në zemër,dëgjo lutjen time
Gjir i yt në ëndërr(vdiqa shpirtja ime)
23 nëntor 2000
12.Më ka marrë malli për Fierin
Më ka marrë malli për Fierin ku punova kaq kohë
Edhe nisem me yrysht,të takoj shokët që njoh.
Do të ulem,të pi kafen,mu tek klubi i Kozma GJatës
Dhe ta kthej me ta një godë( le të shkoj pas mezit të natës!)
Më ka marrë malli për Fierin(e ku ka si ky qytet?)
Se më ngjan aq shumë me diellin(aq më ngroh me të vërtetë)
Dua të shkoj një çast atje(makari,të pi një kafe)
S’më zë gjumi,më nuk fle(jam me ta kapur prej qafe).
24 nëntor 2000
13.Diktatori
Doli para turmës dhe pëllumbin e bardhë si paqja
E lëshoi diktatori.
Pëllumbi fluturimin mori,krahët zu t’i mardhen
Dhe ra e ngordhi…
25 nëntor 2000
14.Lutje ndershmërisë
Mikut tim,Kozma Blido
Ndershmëri,të kam kërkuar
Mu tek porta ardhsh,trokita
Kur ma hape derën ti,
Aty rrinte Kozma Blidua.
Është Kozmai,burrë i ndershëm
Dhe me shpirt si babaxhan
Ndaj ma mbylle derën ti:
Vallë,ngjetë me Kozmanë?!…
25 nëntor 2000
15.Itaka ime
Sa vjet bëri Odiseu që të kthehej në Itakë
Se e priste Penelopa edhe djali,Telemak!
Hoqi-ç’hoqi,vetë e di:det më det e sa kusur
Unë do nisem më Shqipëri,kam Itakë në Mbrostar-Urë.(1)
Le t’më dalin mua Circe,le t’më dalin Polifemë
Unë shikoj që pret atje(më thotë:-Hajde,pse s’po vjen?!)
1.Fshati im në Fier
25 nëntor 2000
16.Shqipërisë
Shqipëri,të dua shumë!Më je ulur shesh në zemër
Me oi po qaj unë;me oi siç qan një femër!
Në se ika unë nga halli dhe lashë vendin tim të mirë
Lotët çurg më shkojnë nga malli,shpirti im po bëhet “fir!”
Në u mblodhëm sot sëbashku(dhe Kosova,dhe Çamëria)
Ne e ndjejmë që një është gjaku(zemra po ,që është Shqipëria)
Jemi mbledhur sot për festën dhe të gjithë po brohorasim
Po ju lipsëm Shqipërisë,që të gjithë jetën e falim.
Shënim:Festa e pavarësisë
26 nëntor 2000
17. * * *
Duart e mia të bardha shkumë
(punë me duar s’kanë zënë hiç!)
Por prapë mirë nuk ndihem unë
Se kam kallo hekuri në shpirt.
27 nëntor 2000
18.Letër gjitones,Fatmirës
Të gjithë atyre që do trokasin
tek dera jonë,në katin e dytë,
Mos u thuaj:-S’e dini?Kanë zënë Amerikën?
Po u thuaj:vdiqën…
27 nëntor 2000
19.Nëna
E,si janë thënë të gjitha për nënat?
Doli nga shtëpia e saj,nëna ime,
Është mbi 80-vjeç
E di që unë jam në Amerikë
Por shkon çdo ditë atje,
Ngjitet tek kati i dytë
Dhe kyçit të derës i thotë:sh p i r t…
27 nëntor 2000
20. N A I M!
O Naim Poezia,ngreu nga varri veç për pak
Se ç’ke shkruar për kurbetin i ke vënë fjalës kapak!
Këtu dita qenka tjetër,edhe nata,tjatër natë
Edhe zogjtë kur cicërojnë,cicërimat atje:mjaltë!
Ngreu nga varri,Bukurosh, edhe thirr me zë kushtirmi
Se kush vete në kurbet,nuk gjen fjalë ngushëllimi
E beson kush ra nga fiku,siç e tha dhe Nastardini
Po s’dëgjoi nga ai vesh;e pësoi dhe Përparimi.
Tash që ra vetë nga fiku,po bërtet:sa shumë u vrava!
Se kurbeti keq e piku;mezalla,s’e mbyllet plaga
Rri e hapur plagë e keqe,nuk pranon asnjë ilaç
Shqipëri,për ty,po dergjem;veçëse ti më je ilaç.
28 nëntor 2000