Magjistrica e “re?!”(tregim)

Magjistrica e “re?!”
Tregim
Në kujtim të Isuf Jaupllarit

Po vjen Salushja!-bërtita që të dëgjonte gjyshja ime dhe ime mëmë,që po preheshin ndënjur mbi shilte në hije,aty para shtëpisë.Po vjen “sadërzëmja”,përseriti me një buzëqeshje shpotitëse,ime gjyshe.E dimë avazin e saj,-tha.Të shtie fall,të hedhë e të pretë sa të çonë shtatë puse dhe gjëkund se gjen të pishë ujë.Po dëgjo këtu,- urdhëroi time ëmë,-është emoçme sa unë dhe shko bëj gati gjysëm buke dhe një kusi me dhall.Ndërsa ime ëmë shkoi drejt qilarit që të bënte gati “darovat”për Salushen,kjo dha ballë hipur mbi gomar dhe,për çudi këtë radhë,ndryshe nga radhët e tjera,kish me vete dhe një nuse te re(nga dora e tyre edhe kjo nusja) që,sa ta shihje,aq sevdalliseshe pas saj.Kur them nga “dora e tyre”,nuk e kam për përçmim,përkundrazi,dua që t’i mbetem besnik ngjarjeve të atyre kohëve(mbi 50-vjeçare kjo me Salushen!).Po kush ishte Salushja?Qe gruaja më e vjetër në sektin e arixhinjëve,që banonin në fhsatin tonë,Petovë,në rrethin e Fierit.Ata jetonin të grupuar,si veç fshatit,në faqe të një kodre,ngjitur me pyllin e Vajkanit.Që të krijoni një ide më të përafërt(se tani s’ka më pyll për be në Vajkan),ju them se qenë në një kodër,pak më të ulët se ajo kodra ku është vendosur Manastiri i Ardenicëc.Dhe,po të niseshe nga manastiri në fjalë,në vijë të drejtë për në Fier,doje një orë për të mbrritur tek kjo kodra e arixhinjëve.THashë që Salushja qe më e vjetra prej grave në atë komunitet,siç ishte dhe Xha Zequa më i vjetër prej burrave.Salushes i kish vdekur burri(thonë që kish qenë e bukur në rini të saj),dhe,siç thoshin nën gojë ato gratë e tjera të tyre,sikur kish patur disa ashikë.Burrë nuk kishte Salushja,por kishte një vajzë,Zyranë që e kish martuar me Sabrinë dhe me ta dhe jetonte.Që Salushja kish ca tertipe që e dallonte nga të tjerat,kjo dukej qartazi.Kurrë nuk e kishim parë në këmbë.Por gjithmonë mbi gomar,të cilit mbi samar i kish vendosur një peshli me thekë prej leshi,për të ndënjur më rehat.Kur zhvillohen këto ngjarje(prag viteve ‘50 të shekullit që iku),arixhinjtë në fshatin tonë rrallë punonin,po e nxirrnin bukën e gojës o me zanatin(orkestrat apo sazet),ose gratë duke lipur apo duke hedhur fall.Fallin e kishin traditë dhe të qorrolisnin goxha,po ta haje sapunin për djathë.Dal ngadalë,gratë e fshatit sikur ua morën dorën këtyre falleve të kota dhe,ndojëherë,i përzinin pa u dhënë gjë.Por ato shtegëtonin nga një fshat tek tjetri dhe,gjitësesi,e shtynin.Por me Salushen qe ndryshe.Ajo nuk ndenjonte të zbriste nga gomari,po ta hidhte fallin që atje dhe,doje s’doje,do të merrte ndonjë gjë.Edhe pse Salushes ia kishim pirë lëngun,ime gjyshe,kurrë nuk e pati përciell duarbosh.Sa mbrriti,ime ëmë
i kish bërë hazër darovat dhe priste që,sa të mbronte,përshëndetja,t’ia jepte.Po këtë fëllëzë çfarë e ke?-pyeti ime gjyshe.Kjo,-tha Salushja,-është ilaç,moj hanko Begzo!Moj për ilaç e shoh unë,se sytë nuk më ka lënë akoma.Por çfarë e ke?-Është mysafire nga larg,po dëgjo,moj hanko Begzo,t’i gjen për fije për pe të tëra!
E di,e di,-qeshi ime gjyshe,-ja,ashtu siç i ke gjetur ti moj hanko Salushja.Moj po lëre Salushen,se kam rrjedhur unë,po provo jepi një nishan nga yti,pa do ta shohësh.Unë po haja një misër të pjekur dhe”mysafirja”,pa më pyetur,më mori një nishan nga xhamadani im dhe zuri të logoris:
-Plakën edhe nënën here-here e digjon;here-her s’e digjon.I kish rënë në të,se kështu ishte vërtet dhe tani edhe gjyshja,edhe ime ëmë,sikur po dorëzoheshin tek falltarja.Ajo më la mua dhe si i hodhi një vështrim prej nuslaleje gjyshes sime,bëri sikur lexonte me një”kampion”që i mori.Dhe,sakaq,zuri të cicëroj:
Djalin e vogël,zonjë,ta quajnë Avni!Deri këtu hahej dhe s’hahej se,sado që kjo nuse e bukur,nuk ishte prej fshatit tonë,kaq gjë ia kish thënë Salushja dhe kaq.Por jo.”Cicërima” e saj jo vetëm vazhdoi,por na ngriti avadan edhe mua(gati 10-vjeç!),edhe nënën time dhe,ca më shumë gjyshen.Avniu sapo është liruar nga ushtria dhe e ke fejuar,ka një javë në Fushë-Peshtan të Beratit.Nusen ta quajnë Fatime dhë është nga dera e Muhamet-bej Kapinovës.Nënës iu hap goja nga habia,kurse,gjyshja,gati ra përmbys.Të trashëgohet,hanko!-tha magjistrica.Unë po gajasa.Moj po ç’është ky yrnek kështu?Pa e sheh,moj hanko Salushja,kjo qenka ilaçi:edhe spicer,po edhe doktor.Kësaj i them të gjetur unë.Po kot nuk e ka bekuar Zoti,-vazhdoi ime gjyshe e entusiazmuar,-e bukur po,e kënduar po.More abrash,-m’u lëshua mua gjyshja,ç’më rri aty e më zbardh dhëmbët.Shko dhe zërë atë kaposhin e madh,se ma ka hallall.Dhe ti,-iu kthye sime mëje,-shko merr ca djathë dhe ca gjalpë,bëja tok dhe hidhja në kusi të dhallës.Jepja të tërë çyrekun se e ka hak.
Dëgjo,Salushe(tani e hoqi atë titullin hanko),të më vish prapë me këtë.Me këtë dhe me asnjë tjetër,dëgjon.Dhe ,ndërsa Salushja me “ilaçin”,mbasi u mbushën mirë me”darovat tona”,po largoheshin,gjyshja nuk mbahej nga emocionet:epo të jetë tjetra”hazret!”.Emrin e nuses mezi e dimë ne,dhe ajo ta gjenë në një “mostër” që të merrë.Hallall!Hallall i pastë!Dhe dëgjo këtu,-porositi time ëmë,-se mos e lë bosh ndonjherë atë Salushen,se edhe ajo,në të ri të saj,thonë që ka qenë”endërzha!”.E bukur dhe fallxhore e madhe.Apo s’ka bredhur?GJihtë botën.Ka qenë e fisme.Se shikoje,kurrë nuk e sheh në këmbë.Mbi gomar dhe mbi samar,gjithmonë nga një peshli nga ato me thekë.
Ndërsa të treve na kish zënë një gëzim marramëndes,kur dha ballë Isufi.Ky qe miku ynë,kish për grua Minen,kushrëirën eparë të babait.Ne jo vetëm që qemë nga një fshat(këtu në Petovë,se në Skrapar,nga jemi,jetonim në fshatar të ndryshë:ne në Vërzhezhë dhe Isufi në Përrenjas!),por kishim miqësi të përsëritur me derën e Isufit.Halla ime kish marrë të vëllanë e Isufit,për të mos vazhduar me tim ungj dhe tim vëlla që kanë marrë dy mbesa(motra),të Isufit.U zgjata pak si shumë,duke harruar atë më kryesoren:Isufi ishte burrë që kish lindur për qejf.Qejfi i tij ish rakia,duhani,kumari dhe,mbi të gjitha,si i zgjuar që qe,shquhej për një humor të veçantë.Erdhi Isufi dhe,pasi u përqafua me time gjyshe,kjo i ra përpara dhe futi në dhomë të miqëve.Babai ende nuk kish ardhur dhe,sa ribëri toka,me timegjyshe,kjo nuk e la të fliste,por iu zbërthye:
-Ç’na kanë parë sytë,mor Isuf-be?!-foli gjyshja.Unë e shihja se,tek mbushi çibukun(gjithmonë epinte me çibuk duhanin),sytë i morën një pamje të qeshur dhe po prisja të këpuste ndonjë rromuzë,se shquhej për to.Po ai la gjyshen që të cicëronte.Qe ca më parë këtu,Salushja,-vazhdoi gjyshja,-dhe kish me vete një fëllëzë,po mos qe ilaç e kaluar ilaçit.Isufi bëte,sikur dëgjonte,po gojën vesh më vesh.Nëna solli rakinë dhe ky,pasi mori godën,uroj gjyshen dhe time ëmë,dhe tha:
-Begzo,të gjitha ç’të ka thënë ajo”ilaçja”,ia thashë unë tek përroi i Sadriut,se aty i takova.
-Uh,të rënçin krahët fije-fije!-mallkoi gjyshja.Po ti firaun mbete.Isufi u mek së qeshuri,edhe unë,po gjyshja dhe nëna qanin me lot për kaposhin e madh që mezi e zura,por,për ato”darovat” e tjera s’para i zinin në gojë.Epo u marrçin të keqen,-e mbylli këtë muhabet Isufi.Po deshët hidhin prapë falle,se këtu jam unë,matan përroit të Sadriut.
Salushja,për ca kohë,nuk u pa tek ne,por,kur erdhi,zuri të shfajësohej,se”Isuf-beu ngatërron dynjanë,po ajo qe ilaç dhe tani është martuar larg,po do ta sjellë nodnjeherë.Mor po sille-sille,-iu hakërrua ime gjyshe,-por tani s’ka më as kaposh as djathë as gjalpë,po merr këtë kusinë me dhall si pleqëri që je.-Zoti t’i shtoftë!-uroj Salushja dhe iku hipur mbi gomaren e saj.
Tash,kur e sjell këtë histori të jetuar,më vjen si e gjallë Salushja dhe më bëhet e ngjashme me”Plakën Izergil” të Gorkit.Ç’mistere vallë fshihej në këtë personazh të veçantë të atij komuniteti?Kurrë nuk e mora vesh,sado që ky komunitet nuk u nda nga ne,skraparlinjtë e ardhur në Petovë,edhe kur u vendosëm në fermë,në Mbrostar-Ura.Atje u vendosën dhe
ata(gjithmonë veçan!),por,tani iu shtruan punës dhe nuk merreshin as me magji dhe as me të lipur.
Duke e mbyllur,ju them pa pikë shtirjeje:kam mall që ta shoh edhe njëherë Salushen,ashtu hipur mbi gomare,plot sqimë,dhe me fytyrën si prej harte(plot izioipse e meridiane),ku në çdo brazdë do të gjeje njjë histori.Ashtu siç kam mall për time gjyshe,time ëmë apo edhe për Isufin me të cilin më lidhin aq e aq fije.Të tërë i kutoj me adhurim.Edhe Salushen,pa dyshim…
Gusht 2008