1.Një mendim i turbullt
Një mendim i turbullt sundon përmbi mua
Asaman,e bukur,sa fort që të dua!
Dua që të kthiellohem,s’më lë syri yt
Edhe turbullohem(po më “mbyt”,më “mbyt”)
Jam si përmbi prush,prushi po më djeg
Syri yt larush,ca më shumë:më”pjek”
I djegur,i pjekur,nga qindi tek mija
Rënkoj se jam mekur;më mek dashuria.
12 gusht 2003
2.I pirë
Kam pirë “thatë” raki si pijanik
Gjuha më është trashur;s’ e urdhëroj.
Jam bërë karroqe;shiko ç’kokëshinik!
Se malli,ah malli,keqas më bloi.
Dhe s’dua të çdehem.Kështu dua të jem,i pirë!
Mendjen mos e vras,se më sakatoi.
Se jam se si jam(e ku ka vallë më mirë?!)
Se po u çpiva,malli do më blojë.
12 gusht 2003
3.S’më pëlqen të lëviz
Sikur kam lindur plak që në djep
Nuk më pëlqen hiç të lëviz
veç të rri në një vënd kam qejf
Dhe,shpesh,me shokët a miqtë jam në krizë.
Se ja më ftojnë që të shkojmë diku
Mohuese gjithmonë përgjigja ime
As vet s’e kutpoj se çfarë kam kështu
Si plak jam:s’dua lëvizje.
12 gusht 2003
4.Mendimet e trishta
Mendimet e trishta:më mplakën,më thinjën
vij vërdall në hamëndësira e s’dal në kut
JO se nuk dalloj dot qindin nga mija
Po kurbeti m’i futi dy këmbë në një këpucë.
Jap e jap që mendimesh të kthiellohem
(të gjej rrugën e drejtë në këtë labirinth!)
Por është e kotë,sado që mundohem
Mendimet e trishta më kanë lidhur pisk.
12 gusht 2003
5.Duke vështruar qiellin
Jam shtritur në kurriz dhe vështroj qiellin
Këtu,mbi lëndinë plot bar të gjelbër,
Shpendët e ujtë shoh që trazojnë liqenin
Ndërsa mbi drurë seç loz ndonjë ketër.
Nën shpinë,s’do mend, që kam tokë
Por duket sikur më thëthin qielli mavi
I vetëm jam këtu,pa asnjë shok
Ndaj dua sikur të fluturoj në qiell tani.
Dhe ky”fluturim” nuk di pse më pëlqen
E lëshoj veten si kozmonaut(humbas në peshë?!)
Mbledh mendjen dhe shoh shpezët mbi liqen
Dhe qesh me veten time:shyqyr që në tokë qeshë!…
13 gusht 2003
6.Ashtu
Ashtu si Kserski që rrahu me kamzhik Bosforin,
Ashtu edhe unë dua të rrah oqeanin.
Qesharak u bë Kserski tek rrahu Bosforin
Dhe unë qesharak,që do të rrah oqeanin.
Kserski e rrahu Bosforin se i prishi urat
Unë dua të rrah oqeanin,se s’më lë të shkoj
Mos kujtoni se mendja më la(t’më futni tek të sëmurët?!)
Por kam një mall aq të madh,sa gati më bloi.
13 gusht 2003
7.Pas…
Pas dehjes,zakonisht,vjen çdehja
Si pas dashurisë,vjen brenga
Më duket e tillë është “beteja”
Ç’të them më tej?Veç rrena.
13 gusht 2003
8.Peizazh
Mu në luadhet,matan lumit
Dielli zhduket pak nga pak
Unë shoh qiellin në ngjyrë plumbi
Në perëndim;dhe,befas,natë.
Si dantela fluturake
Shfaqen muzgut disa shpezë
Ah,kjo nata gushtarake
Mu mbi qiell kandilat ndezë.
Shikoj qiellin yjendezur
Edhe hënën lyer me ar
Ah,ky çast ,më ka këndellur
Edhe rihem,bëhem “djalë!”
13 gusht 2003
9.Pse?
Pse mos mbetemi tërë jetën fëmijë?
Mua do t’më pëlqente sa lëre mos e nga!
Loz,pa andralla;pa pashë ke liri
Ku rafsha mos u vrafsha(vallë,më mirë a ka?!)
Por ja që kjo gjë hiç s’qenka e mundur
Do të rritesh,s’do mend,e më tej do plakesh
Ah,sa do më pëlqente!Do të isha i lumtur!
Krejt ndryshe më është;dhe me jetën “hahesh”
13 gusht 2003
10.Sa dua
Sa dua që të vrapoj fushave
Dhe arave që kam patur në fshat!
Korieve që kishim e gëmushave
Të prehesha diku në livadh.
Të jem larg qytetit e zhurmave
Boriet e makinave mos t’i dëgjoj
Të ngopem me aromën e fushave
Dhe më asgjë tjetër nuk kërkoj.
14 gusht 2003
11.Dy sytë
Dy sytë e tu m’i gul turrjelë
Më shpon,më shpon,përse?
Nga plaga që më hape thellë
Rënkoj me olele!
Rënkoj,rënkoj e s’gjej doktor
Se dhëmb kjo plagë e thellë
Aspak s’e mbajte atë dorë
Me sytë e tu-turrjelë…
14 gusht 2003
12.Flutura
Hyri një flutur në dhomën time
Dhe loz me dritën që llamburit
Më pas bëri dhe ca fluturime
U dogj…dhe dha shpirt.
Se drita kish kohë e ndezur
Dhe çliroi,kuptohet,nxehtësi
Flutura për dritë qe e etur
U dogj… dhe u bë hi.
14 gusht 2003
13.Një kujtim
Gur më gur e ledh më ledh
Çamë mes monopatit
Hëna dritëari hedh
Mu përsipër shpatit
Një bari i bie fyellit
Ah,se ç’melodi!
O kujtim i kaherit
Pse më vjen tani?
Se kanë shkuar aq vite
Prapë më vjen kujtimi
Epo s’qenë vjete drite
S’harron Përparimi.
Se me miken time qeshë
(Vallë,ku është tani?!)
Ah,kujtim,që vjen më mbledh!
Qëne,pleqëri!…
14 gusht 2003
14.Kur…
Kur unë ta tërhoqa kokën leht
Dhe ti mbylle sytë duke psherëtirë,
Mua m’u duk bota aq e lehtë,
Sa me duart e mia,po e ngrija në hapësirë!
Të tillë fuqi më dhe;dhe u bëra Herkul
Aq i fortë qeshë,sa dhe dreqin e mbysja
Unë që jam zëmërdobtë sa nuk ther një pulë
Befas,u bëra me krahë që dhe botën përmbysja.
15 gusht 2003
15.S’mund
Me një femër që s’më do,s’mund të shkoj
Që të çliroj harlisjen time apo si hamshor
Unë shkoj me një femër që e dashuroj
Pra,s’bëj dot siç vepron një horr.
15 gusht 2003
16.Kur qesh
Kur qesh…tak e të bëhet një gropë në mjekërr
Unë zgjat “buzën kovë” timen se dua që ta mbush
S’di këtë qeshje,në e kam parë kund tjetër
Por s’duroj që mjekrra të kthehet në”pus”.
15 gusht 2003
17.Kur dashuron
Kur dashuron,gjithçka të duket miqësore
Të buzëqeshë bari i gjelbër në lëndinë
Toka e murrme,kodrina gjelbëroshe
Qielli,patjetër,të dehë me kaltërsinë.
Dielli të duket se ka ngjyrë ari
Zogjtë?E kur kanë kënduar më bukur?
Ti je mbushur shend dhe s’mbahesh nga malli
O dashuri!E ku ka nga ti më të bukur?!…
15 gusht 2003
18.E pranoj
E pranoj që jam robi yt
Ti më imponohesh e gjitha si padron
Se fuqinë e humbas,sa më ngulë sytë
Më shpon me ata sy;më shpon.
15 gusht 2003
19.Ëndrrat
Si i magjepsur rri mbi ëndrrat e mia
Të ndryshme janë;shpesh herë:të tramaksura!
Por unë i dua;të gjitha janë nga Shqipëria
Se zë naurisem me to,sado me flokë të zbardhura.
16 gusht 2003
20. … dhe
dhe qiellin e mora,dhe diellin ta prura
Ç’do deshe tjetër?Pa më thuaj,hë?!
Pastaj drejt krahëve të tu u sula
Dhe se çfarë bëmë,s’e them dot më…
16 gusht 2003