1.Kënga
Një veturë kaloi me vrull
Jehonën e një kënge la pas
Syri im pas veturës u sul
Që këngën t’ia merrja për një çast
Se ish një këngë e vëndit tim
Nga ato që përcillen me grykë
Për trimat që ferk ia bënë mbi Janinë:
“Janinës atë ditë ç’i panë sitë?!”
Jehona e saj m’u fut në shpirt
Dhe syri keqas m’u lotua
Ah,vëndi im!Të dua me shpirt!
Më treti malli për ty mua.
8 mars 2001
2.Për 7 Marsin?!
Dje qe Festa e Mësuesit
Harrova dhe nuk shkrova një rresht
Vajti,mësuesi,vajti!
Mbeti në provim në vjeshtë!
Mbi 40-vjet punova si mësues
Dhe dje s’u kujtova që qe festë?!
Si mëndjen ta kem shtypur me rruspë
Që kur lashë vendin tim,në vjeshtë.
Sot mua më doli”të pirët!”
Për festën time u kujtova
(sa shpejt që më dolën”brirët?!”)
Që festën,kaq shpejt,e harrova?!
Po më mirë vonë se sa kurrë
I mënçmi popull s’flet kot
Autokritikë po bëj si burrë
Ndaj për të,po shkruaj sot.
8 mars 2001
3.Nuk durohet qielli i syve
Ata sy mbushur me qiell si të larë me kaltërsi
Shih si feksin nën diell:pa shiko se ç’bukuri!
Më magjepsën mua,të gjorin,aq sa m’u mbytën gjemitë
A do shkoj të marrë doktorin,se,për ndryshe,më shkuan sytë.
Nuk durohet qielli i syve(ai qiell i syve të tu!!!)
Se ta dishë që mrekullive s’u bëj ballë që ububu!
A m’i fal ti sytë mua ,që t’i puth se kam merak
Veç kështu,moj,dëgjomë mua:unë shërohem pak nga pak.
10 mars 2001
4.Zogëzë
Në çdo faqe nga një gropëz
A t’i mbush unë,moj zogëz?
Po në mjekërr?Është e treta
Tani”mjeshtër” jam bërë veta!
Uh,një tjetër,mu në gushë
Fët e fët dhe zë e mbush
Fët e fët dhe zë e mbush
Sa me gjuhë e sa me buzë.
Dhe u”lodha”,pak u “lodha”
Përmbi gjirin tënd u çlodha
Seç u çlodha,u kënaqa
Ti,moj zogëz,qe parajsa.
10 mars 2001
4.Retë dhe era
Mullari i reve po rritet pak nga pak
Dal e me ngadalë,po zë tërë qiellin
E trashë “rroba” e reve,si shajak
Retë domenin e tyre vunë mbi diellin.
T’i shohësh se si i sulen njëra-tjetrës
Si buaj të mëdhenj që goditen me”brirë”
Përplasen e shtyhen prej erës
Që fryn e tramaksur si një xhind i pirë.
Mandej,dihet,që përplasja e reve
Do sjellë,pas erës,shi me shtrëngatë
E vështroj këtë “luftë” mes erës dhe reve
Dhe u japë këmbëve që shiu të mos më kap.
10 mars 2001
5.Yllkë!
Si yll je e Yllkë të thonë
Opopo si je,për Zo’n!
Çfarë ke bërë kështu,O Zot?!
Jo,jo:Goja s’e thotë dot!
Atë faqe si mëndafsh
A ma jep,o moj,më qafsh!
Pa shih vetullat-halëz gruri
Pale syri më sëmuri.
Po ky trup si një selvi
Vallë,ku je rritur ti?
Ku je rritur,si je rritur
Besë e Zotit,kam lajthitur
Kam lajthitur,jam goditur
Dhe s’duroj më duke pritur
Ndaj e puth syrin e ndritur
( me të tjera-dorovitur…)
11 mars 2001
6.Ç’është ky guxim?
Ç’është ky guxim i praptë si të jem djalë çapkën?
Se sa të pashe,edhe fap:me dy duarët të kam zënë
E të thashë se po lë mëndjen,edhe zemëra më s’duron
Dhe në bëj si një çapkën,plaku keqas dashuron
Por guximi im të trëmbi,se t’u duka pak i marrë
Dhe mua gjegja më dhëmbi,se më the:-Je plak i shkarë?!
Jo,moj,jo:nuk jam i marrë!As i shkarë,po jam tamam
veçëse syri më ka shkarë,edhe zmëra ime vuan.
Pastaj puna pak u ndreq(se kjo gjë na dashka kohë!)
Dhe më the të vinte keq që atë ditë më trëmbe,oh!
Por,së fundi,shkuan të gjitha:më the ti:unë të dua!
Epo,-them,- hallall”korita!” që të zura”fort” pothua…
12 mars 2001
7.Të puth pak?
Unë të thashë:-Të puth pak?
Ti ma ktheve:-Dashke shumë?!!!
Dhe u bëra zëmërak
Pa marrë leje,të puth unë.
Ti u bëre si paparunë
(unë u tremba,veçëse pak?!)
Por ç’dëgjoj,ç’dëgjoj unë?
-Puthëm prapë e puthëm prapë!
Kjo më bëri si dragua
E të hodha unë në krahë
Veçëse puthjen,thashë,dua
Ti më fale një dynja…
13 mars 2001
7.Pleqërisë aspak s’i bindem
Më zu nepsi,më zu “fruthi”
Shoh bandilin vajzën puthi
Kthen bandillja,puth bandillin
Tash s’duroj se më krryen syrin
Se dikur dhe unë qeshë djalë
Ndonjë zogë puthja me mall
Tash,kuptohet,shkoi fuqia
Po makut më bën zilia
Ziliqar,po kam dhe neps
Ku s’më qasin,kërkoj “pjesë”
Dua “pjesë” dhe zë e grindem:
Pleqërisë aspak s’i bindem.
14 mars 2001
8.Dita e Verës
Kam shkuar,me mëndje,natën në fshat
Se Ditën e Verës atje dua ta festoj
Në mëngjes heret e ndeza topiln me kashtë
Me tym t’i përgjigjen,vërsnikët i ftoj.
E ndeza topilën dhe tymi në qiell
Ta shohin vërsmikët:Zalua,Myftari
Jam ngritur heret( pa feksur diell!)
Se si gjitmonë,dua të jem i pari.
Pastaj do bashkohemi e do dalim tufë
Derë më derë amvisash do zëmë të thërrasim
Vezë të ziera presim,i thyejmë çak-çuk
Se,ndryshe,po s’na dhanë,me këngë i ngasim.
E ,moj Dita e verës,o festë e fëmijërisë
Ç’ma more mëndjen dhe ma shpure në fshat!
Por,sa kthiellem,zë e rënkoj nostalgjisë
Se jam në kurbet…dhe mbushem me inat.
14 mars 2001
9.Mëndja bredh e s’di ku vete
Ja:po rri përmbi makinë
Mendja bredh e s’di nga vete
Po shetit të tërë Shqiprinë
Mall,o mall,për të më trete
Ja tek del tej oqeanit
(se si del,është punë e saj?!)
Nuk e di se ç’ndodh vatanit
Mëndje,moj,tregomë pastaj!
Se mua malli më këputi
Mezalla s’e gjej derman
Se kurbeti keq ma”futi”
Copa-copa imi xhan.
14 mars 2001
10.Unë me ty puthem açik
-Dhe njëçikë dhe njëçikë
Rri,moj,rri dhe mos ki frikë!
-Jo,jo:se shkoi u ngrys
Se vjen “qyqi” nga u nis.
-Prit,moj,prit;qoft edhe pak!
-Po s’kam bërë asgjë për darkë?
-Vjen ai dhe do të hajë
Edhe mëndjen atje mbaj.
Ndaj po iki,more djalë,
Që ta gjejë gjellën-valë
Unë do bëj,pak,e habitur:
-Obobo sa të kam pritur?!!!
Kështu i do mushka drutë
(pi dy nëna qingji i urtë!)
Pastaj,sa ai të ikë:
Unë e ti puthemi açik…
22 mars 2001
11.Përse?
“…dhe frikë kemi dhe në gjumë,
për ç’na pret?!”
Robert Bërns
Përse mendohemi dhe rehat s’flemë
gjumë,asnjëherë!
Sa shumë mendohemi dhe ku nuk vemë
s’e dimë as vetë,shpesh herë.
Jo kjo kështu,ajo nuk bëhet
e broçkulla veçëse bluajmë
Shpesh edhe gjumi,ikën dhe çbëhet
e vuajmë dhe vetëm vuajmë.
Se mëndja bredh si çupë çapkëne
na ndjellë e na çon tutje
Na çon kudo e nëpër vënde
zvarrë si një hajdute
Dhe rrimë mërzitur,nuk kemi paqe
derman s’gjejmë njëherë
Dhe gjumin e bëjmë,pothuaj,me”pragje”
ç’na gjen:S’e dimë për nder…
24 mars 2001
12.Një miu i rashë me gur
Një miu unë i rashë me gur
(s’e shoh dot këtë edepsëz!)
I rashë unë se kot s’jam”burrë?!”
Ç’më dinte,Robert Bërns?!!!
M’i hodhi sytë e tij të veckël
(Të veckël,si çdo mi!)
Po ku pyes unë për sy të veckël
Mos jam unë”axhami?!”
Pse?- i thashë.Mos jam unë Bërnsi
Që të zë e të aj për ty?
Po kur i dredhoi gurit edepsëzi
Sikur s’kam tjetër unë tani?
Po shyqyr që iku dhe u fsheh
Se namin do t’i bëja
Pale-pale me sy më sheh
Andej ku është:tek “vëra…”
24 mars 2001
13.Vjen një çupë
Vjen një çupë si allasoj
Lakuriqe është,pothuaj,
E gjithë “pjaca” nbetë pa gojë
Hajd nga mëndja dhe mos luaj
Si të niset për striptizëm
As që pyet:drejt e në klub!
Edhe pleqtë po kolliten
Se të gjithë i “vrau” me plumb.
22 mars 2001
14.O moj ti që rri shullërit
O moj ti që rri shullërit
Dhe në diell po thekesh
A e di ç’i ke bërë “njërit”
A mund që t’më gjegjesh?
Treçereke zbuluar trupin
Dielli seç ta ngrohë
Por s’e mbajta dot turpin
Dhe gulçova,”oh!”
Ti u ktheve në anë tjetër
Medemek,s’dëgjove
Po unë jam “stekë e vjetër”
Më shumë më ngacmove.
Tash u kolla si plevitë
Dhe teshtita fort
Tani keqas më ngulë sytë
Pra,qënke dakord?!
Kaq m’u desh dhe tek shullëri
Çapita ngadalë
Dhe e mori vesh”njëri”
Ç’gjegje i dhe?Mall…
24 mars 2002.
14.Fëmijëria
Ja,mushaja ku kullosnim bagëtitë
Ja dhe pylli ku shkonim për gjah
Aty mblidheshim për ditë
Aty ishte e jona dynja.
Dhe lojërat i shpiknim ne vetë
(s’kishim as katalogë as manuale)
Të lozur që bënim;sa qejf!
Për top as që diskutohej,fare.
Se mushaja kish brinjë e kodra
Sheshe për top,aspak
Po ne loznim të tjera lodra
Dhe mëndjen s’e vrisnim aspak.
Por mbusheshim nga lojërat me shend
Gëzimi në qiell e qemë të lumtur
Mendjen s’e vrisnim për asgjësend
Nuk kish si bëhej më bukur.
E,fëmijëri,e madhe sa bota
Sa shpesh,më kujtohesh,sa shpesh
Me mua sa herë vjen ia bën toka
Se malli më këputi në mes.
Hajde tek mushaja të shkojmë tok
Të dalim nga pylli,nga kodra
Atje të luaj me moshatarët tok
Fëmijëri,më je e madhe sa bota!
30 mars 2001
15.Puhizën ma more
Puhiza e mbrëmjes që fryn lehtë
Me fresk ma mbushi mushkërinë
Unë eci ngadalë,i qetë
Shijoj sa më mirë mrekullinë.
Një zog fluturon nxitimthi
Ikën me shpejt për diku
Mendimi im nxitimthi
Shpejton edhe vjen tek ju.
S’e di pse një çast m’u kujtove
Më erdhe ,papritur,këtu
Puhizën e mbrëmjes ma more
Ç’ta doja,ç’ta doja pa ju?!…
27 mars 2001
16.Mëndjen dhe zëmrën i lashë…
Mëndjen dhe zëmrën i lashë në Shqipëri
Me trup jam këtu,me shpirt aty
se atje i kam me miq e me shokë
Këtu jam i vetëm,pothuaj,si shkop.
A shtyhet jeta,i vetëm,si murg?
Ç’është e vërteta,këtu nuk mund
Nuk lihet vendi,siç bëra në këtë moshë?
A hall,çfarë më bëre!Më hoqe”osh!”
Më hoqe”osh”,pothuaj si zvarrë
Mbushem maraz e shfryj si djall.
25 mars 2001
17.Kam njohur një vajzë
Kam njohur një vajzë dhe qe”mituri!”
E lozja me të,se qe,pak,”kërthi”
Lozja e lozja,me të,thuaj,për ditë
Ke parë,miturakja,një ditë seç u “rrit?!”
U rrit,hodhi shtat;ç’shtat?SI lastar!
Dhe nuk ka më “lojëra” se janë me”zarar!”
Po mua nuk më rrihet,e quaj mituri
Dhe ajo nuk më shqitet(po ç’”lojë” luajmë tani?)
2 mars 2002
18.Trëndafili i bardhë
Një trëndafil i bardhë më përshëndet
Dhe ikën,vazhdon rrugën
Po mua mëndja atje më mbetë
Dhe hedh pas saj gjurmën.
Kjo ndodh çdo ditë,si rastësisht,
Po rasti-mbreti i botës
E pres çdo ditë dhe unë”rastësisht”
Se më luajti çargu i kokës
Kur ja,tek vjen: e bardhë si borë
Buzëqesh ajo vesh më vesh
Unë,i shkreti,po digjem horë
Buzëqeshja aq më ndez.
Ashtu,symbyllur,e zgjata dorën
E zgjata,”krejt rastësisht?!”
Pora ajo ma rriti horën
Me puthjen,mrekullisht.
5 mars 2002
19.Nga Amerika
A
Një zonjë e bukur si një tulipan
Seç e puth qenin me afsh,aman!
E shoh këtë skenë dhe bëhem nervoz:
Pse s’jam unë qeni?Ah,se ç’xheloz!…
B
Një zonjë e moshuar,pa burrë,pa fëmijë
Tri qenë po shetit:ata ka si “fëmijë?!”
Loz,i ushqen,u jep çokollatë
Jo si në Shqipëri që qentë ushqejmë me bukëthatë.
6 mars 2002
20.Përsëri harrova
Përsëri harrova që dje qe 7 mars
(vjet mbeta në provim në vjeshtë?!)
Tani,siç shihet,mbeta në klasë
Se prapë e harrova unë timen festë.
Po ç’është kështu me mëndjen time,
Pse po më lë këtu kujtesa?
Kujtesa është bërë copë e thërrime
Harrohet,vallë,festa?!
Kurbeti m’i futi dy këmbë në një këpucë
Po plakem,me shpejtësi po thinjem
Harroj 7 marsin;a nuk është turp?
Pak nga pak po shkimem.
8 mars 2002