Maj 3

1.Lotët
Lotët e mallit i fshi me shami
Po lotët e shpirtit me se do t’i fshi?!
Brënda,si urnë,vlon malli për Atdhenë
U dogja,u poqa sa po zë olelenë
16 maj 2004
2.Tek thith aromën e luleve
tek thith aromën e luleve,
Një mjegull kujtimesh më davaritet
Dh e tutje,nga Atdheu,sulem
Me erën e luleve atje,të nginjem.

Shoh bisqet e barit që çajnë koracën e dheut
Si ca të vdekur që duan të ngjallen
Oh,kush ikën si unë prej Atdheut
E kupton se sa i shtrenjtë është…dhe s’e mban dot mallin.
16 maj 2004
3.Mëndja ime
Mëndja ime si zok ikën,edhe mori arratinë
Kot ,or kot,i vini pritën,se e çan me dashurinë
Sepse malli e ka marrë,i rreh krahët me vërtik
Do të sos patjetër gjallë;o Atdhe,dil e më prit.
16 maj 2004
4.Në sytë e mi
Në sytë e mi gjen gjen gjithë pikëllimin që ka bota
S’ka në këtë mes,aspak ekzagjerim.
Nga pikëllimi,shikoni si po më thinjet koka
Por ca më tepër,po thinjet shpirti im.

Çfarë më ka gjetur që jam kaq i pikëlluar?
Mos humba vallë të madhe pasuri?
Jo.Jo.Pasuri gjëkundi s’kam; apo trashëguar
Po jam i mërguar nga ti,moj SHqipëri.
16 maj 2004
5.Në sytë e tu
Në sytë e tu gjithë gëzimi që mbartë maji
Në ata sy edhe blerimi i pranverës
S’do mënd,që unë e humb pastaj
Se “dehem” e “pihem”si prej verës.

Gëzimin dua ta marrë dhe blerimin zë e “ha”
Se më kap një neps që keqas më ngetë
Ah,ata sy!Vallë,gjëkund tjetër a ka
Që majin dhe pranverën e kanë pronë të vetë?!
16 maj 2004
6.Lulkuqja
Dalldisur lulkuqja në grurëra
Dalldisur si vajzë çapkëne
Rrëmben ajo mbi grurëra
Ç’më sjell ajo në mëndje

Më sjell një kohë të shkuar
Ttutje,më parë,sa vite!
Lulkuqe i pata dhuruar
Mikes që në grurëra më priste

E shoh tani si ka dalldisur
Aty mbi grurin e gjelbër
Dhe keq më ka dogëndisur
Kujtimi i vyer,i vjetër.
16 maj 2004
7.Si pëllumbi
Si pëllumbi kur stuhia,ja,papritur,gjëkund zë
Më ka zënë mua mërzia;më ka zënë dhe nuk më lë.
Rreh pëllumbi të shpëtojë,por stuhia zë e shfryn
Unë mërzinë dua ta dëboj,por ka marrë ajo”tapinë?!”

Zë e hahem unë me të dhe marrë shkopin ta përzë
Por s’më lë,nuk më lë dhe vazdoj hahem me të
Zë po hahem,po gjer kur?Sa do zgjasë ky sherri i keq?
Sa të shkoj në Mbrortar-Urë veç atje qejfin ia ndreq (1)

Se mërzinë e kap prej zverku,e vërvis si gur në lumë
Se më lualti tepeleku veç nga hallet mbushur xhumbë
Sa të mbrrij unë atje,mu atje në fshatin tim
Do t’më shihni ju,de!S’kam mërzi po veç gëzim.
1.Mbrostar-Ura-fshati ku banoj,në Fier.
16 maj 2004
8.Si zambake
Si zambake ujë mbi ujërat e liqenit
Ti shkëlqen dhe këshon nur
Më mbetën sytë,mua,të mjerit
Se,sa të shoh,bie i sëmurë.
16 maj 2004
9.Një zonje
Ti hiqesh e mbahesh e madhe
Sikur ke përtypur okllahinë
Lëri,moj,të shkretat naze
Se ato ta prishin bukurinë.

Hiqesh sikur ke zënë qiellin
Kokën aq lart e mban
Matesh me hijen e mëngjesit
Bukurisë sikur i hedh katran.
16 maj 2004
10..Një të njohuri
Ti sikur ke në gjuhë një thumb
Këtë thumb e ngul dhe ndjen kënaqësi
S’ e di që kështu vet je që humb
Kënaqesh se vetëm të liga bën ti

Thumbon si grerëz apo bletë
Se ndryshe vetja të duket si bosh
Por një gjë nuk di ti,o i shkretë.
Se mbas thumbit grera ngordh.
16 maj 2004
11.Në ndodhtë
Në ndodhtë që vargjet që shkrova,s’i botova
Në ndodhtë që ato do të humbasin kot,
Ta dini,po paçë vdekur,nga varri u “vodha”
Dhe si luvgat do tramaks një botë.

S’ka gjë tjetër që më shqetëson më tepër
I botoj a s’i botoj sa të jem gjallë?
Në ndodhtë se mbetën veç në letër
As që do më tretë i imi varr.
17 maj 2004
12.Jetën s’e shkova në gjumë
S’e shkova jetën në gjumë
Si ujë i ndënjur s’kam qenë.
Si zot kam qenë në timen punë
Tani që s’e kam,më dhëmb.

Më dhëmb që jam i papunë
Dhe ndjej në shpirt një zbraztësirë
Jetën po e shkove në gjumë
Zëre se s’ke jetuar,më mirë.
17 maj 2004
13.”Ahu” i njeriut
“Ahu” i njeriut që heq me shpirt
Djeg më shumë seç djeg zjarri
Ta dinë shtetarët;ta dinë të gjithë:
Do ta paguajnë këtë së gjalli.

Mos e kujtojnë veten si të fuqishëm
Dhe një gjëmb atyre s’u hynë në këmbë
“Ahu” i njerëzve është si zjarr i nënhirshëm
Të djegë,të djegë porsi gjëmë.
17 maj 2004
14.Tabiati
Në kohën e diktaturës e morën një doktor
Në hetuesi e vunë nën terror
E grinë atë;varda me dajak
U ankua,i ziu,tek një mik avokat

Doktor,-i thotë miku,-a duron dot një muaj?
-Do bëj si do bëj,sado që shumë po vuaj!
-Durove për një muaj,të bëhet tabiat?!
Ja,kështu,i tha doktorit,ky miku avokat.
17 maj 2004
15.Pas këngëve
Pas këngëve dalldisem dhe mbushem me gaz
Sado që këngët nuk di,unë ,t’i “ngas”
Se zërin e kam të vëshë duarët në kokë
A ndjen kënaqësi kur këndon një korb?!

Pra,s’di të këndoj,po këngët shumë i dua
Nuk di të bëj dallim:të gjitha i dua.
I dua këngëtarët dhe bëhem pak zilar
Dalldisur nga këngët,sado i moshuar.
16 maj 2004

Pri 28

Së pari,kërkoj ndjesë që,nga një pakujdesi e vogël,zhduka ç’kisha shkruar për vete.
S’kam si e filloj këtë “blog” të ri pa falënderuar z.Blendi Salaj si realizues të këtij blogu dhe,pa tjetër,edhe z.Penar Musaraj që më bëri ftesën.
* * *
Mbi 40-vjet kam punuar mësues dhe gjithmonë kam dhënë gjuhë dhe letërsi shqipe.Pothuaj gjithë vjetët kam punuar në fshat dhe kjo ndodhte për arsye biografie.Gjtihë kohën kam qenë kryetar i zonës për lëndët e sipërme:kam marrë pjesë ne seminare kombëtare,i dërguar nga rethi,dhe kam drejtuar kurse kualifikimi për mësuesët jo vetën në zonë,por edhe në rreth.Këto i them,se jam pak përjashtim:sado që kam drejtuar kurse apo kam marrë në provim kolegë të mi,jam,ndoshta rast i jashtëzakonshëm:nuk jam dekoruar asnjëherë se,megjithëse propozohesha,pothuaj,një herë në 5-vjet,kurrë nuk u pa e “arsyeshme”,për “arsye shtetërore?”.Ndaj kam të drejtë të shkruaj atë poezi”Koha”ku them:
Koha
Koha ka veshur pantofla
Dhe reshperon pa u ndjerë
Po mua pse më bloi në mokrra?
Ç’është ky mister?.
Kam qenë drejtor shkolle,formator për mësuesët e qytetit(sado që punoja në fshat!),inspektor në Drejtorinë Arsimore të Fierit për 4-vjet.I nspektor kam qenë në vittet 1996-2000.
Në vitet e demokracisë(unë e prita krahëhapur)kam kandinduar për deputet si përfaqësues i PD në zgjedhjet e para pluraliste dhe nuk fitova.
Kam qenë kryetar i Komitetit Ekzukutiv Pluralist për zonën Qendër në Fier dhe kam dhënë dorëheqje pas 4-muajësh dhe ja tek deklaroj:
“Pushteti ma shpallë.Më tremb më shumë edhe se lufta.Është kalë që më hipën dhe shtylla ime kurrizore nuk e duron një suport të tillë”.Mund të haja me “lugë floriri” se ndava mbi 120 troje në Fier dhe bëra mbi 300 pashaportizime.Dhe mbeta pa kacidhe,Kam shkruar dhe botuar në Shqipëri 4 libra me poezi lirike dhe,kur po bëhesha gati të nxirrja të pestin,erdha në Amerikë.Ky,libri i pestë,pret i ndrymë në sirtar ashtu siç presin qindra poezi dhe disa tregime që ,për”arsye objektive” tani nuk i botoj dot.NË s’arritsha t’i botoj,se plak jam tani,do ngjallem luvgat,se ky është pengu im.Sa për shkrimet e mia,mos kujtoni se jam narcisist.Për të formuar edhe një përshtypje më të plotë për mua,lexoni këtë poezi:
Po thanë për mua
Po thanë për mua
Si mësues?Ç’ka!Mesatar…
E çfarë ka këtu për t’u zëmëruar?

Po thanë
Si krijues?Shkruan shumë
Dhe për lumë?!…
E pse do hidhërohem unë?!

Por po thanë
Se zhgënjeva dikë si njeri
Atëherë kush t’më dojë
Të më qajë me oi…
Besoj se deri-diku ju iformova.Hyni tek blogu im se,siç mendoj unë,s’kini për t’u lodhur;përkundrazi,do relaksoheni.Sikur,kur të hyni,të lini qoft edhe një shënim,kjo do të më gëzojë ashtu siç më gëzon kur më viziton një mik apo mike.
Jam në pritje.
Përparim Hysi,28 prill 2008

Pri 27

Rrëfenja nr.1:
“Takimet” e mia me Lame Kodrën?
Shumëkush e di që Lame Kodra është pseudonim i një politikani me mendime perëndimore,të një poeti lirik nga më të ëmblit dhe,veç kësaj,edhe të një përkthyesi brilant,në se nuk do ta pengonin;është pseudonimi i Sejfulla Maleshovës aliaz Lamja i vogël si pas Konicës që regjimi diktatorial i Enver Hoxhës e pruri syrgjyn në Fier se”kish tradhëtuar m-l,se ksih pikëpamje reaksionare(lexo perëndimore)në politikë dhe në letërsi ku shquhej si poet lirik;më shkoqur,Sejfullai,veç tjerash kishte dhe një”gjynah” të vogël:kish qenë i fejuar i Sanos,motrës së Enverit.
Pra,e dëbuan nga Tirana si armik dhe me këtë damkë e sollën në Fier.Punonte makazinier në depon e duahnit.Gjithmonë bënte të njëjtën rrugë nga depua në shtëpi(kish një dhomë mjerane)dhe anasjelltas.Ecte vetëm me çapa të rënda(sikur donte të thoshte se”ende ishte po ai!),i veshur,pothuaj,me qillota apo pantollona ku pak të thyera afër nogzës së këmbëve,shikoje ca çorape të gjata,që më kujtonin ato kallçinat alla Robespier.Kokën e mbante tullë,të rruar me brisk dhe mbi kokë gjithmonë një shapkë nga ato me strehë.Tri të katërtat e vitit,me përjashtim të verës së nxehtë,do ta shihje me një kapardinë të bardhë treçerekshe e cila,gjatë kohës,pothuaj e humbi ngjyrën.Me asnjë nuk përshëndetej,jo se ishte mendjemadh,po e dinte që mund t’u ngjiste “gripin”.Kur mbante këtë qëndrim,atëherë si mundet që unë ta kem takuar.As mos t’ju shkoj mëndja për një gjë të tillë dhe mos më merrni për aq trim.Sado që takimet e mia me të janë pakësa”imagjinare”,unë,megjithatë,them se e kam takuar atë.Ju lutem më ndiqni:
Unë e njihja përmjet librit me poezi se kur qeshë në vitet ‘50-të në shkollë të mesme,librin etij me poezi e kalonim dorë për dorë.So sot më kujtohen vargje,si:”Këmbëkryq përmbi selishte/po nis këngën pleqërishte/apo “këbëzbathur bythëçjerrë/punoj veten për të tjerë”Pra,e njihja dhe doja ta takoja.Po vallë,ma mbante?Polifemi s’kishte vetëm një sy të madh,po disa sy.Dhe jo vetem kaq:unë isha pak me”qere”,kështu që s’më kish dukë një”luks” kaq i rëndë.Se siç thotë edhe kënga:”Qejfi ta do/po bytha s’ta mban…/
Ai po vinte nga puna dhe tek kalonte midis mapos dhe gastronomit(të njëjtën rrugë bënte çdo herë,pa e ndryshuar kursin asnjëherë!),kurse unë me një shok po pinim kafe tek kafja e Likës(janë të njohura për fierakët këto emërtime!) dhe pa një fëmijë që po lëpinte akulloren:-Sa e bleve atë akulloren,të keqen xhaxhi?-10 lekë.-Kështu e dhje.. dhjetë lekë e bën “këta” kudo,-tha sikur foli me veten.
* * *
Komshiu im,bosnjaku 60-vjeçar,Rrahman Maka,më vjen një ditë duke qeshur dhe më thotë:-Pasha zotin,mor Pap, kam ra në një profesor aq të zotin,sa sikur e ka dërgue Pejgameri.-Ku?-shfaqa unë kurreshtjen.Dhe ai
-Dëgjo axhën tat,tash.Kam shkue me kierre me dorëzue duhanin.E kam vënë atje në kandar dhe më thotë ai i makazies:-Kosov,hajde vnue firmën!I kam zgjat gjishtin.Pse me gjisht?-më ka pvet.-Çebesa,s’po dij,- i ikam than.-Pa hajde këtu,-më thotë.ma ka nxjerrë nji kart të bardhë dhe më thotë:Pa bëje nji vijë të shkurt.E kam ba.Tash baja njimbi ta ,si kryq.E kam ba.Tani mëshoi mbi ta:edhe nji,edhe nji.Ja,kjo asht firma,-më ka thanë.Dhe digjo,kosov,e mbaje mend:firma sa më e keqe,aq ma e mirë asht.M’ka shpëtue,valla,se po koritsha kudo.Tash e hodha mbi sy.Unë:-Po kush qe ky profesor që ta mësojë firmën?-Sejfulla Maleshova!Thonë qi e kanë shpall anmik,po burrë ma të mirë s’ke ku e gjen,-më tha me mirëbesim.
* * *
U sëmurë Sejfullai dhe u shtrua në spitalin e Fierit ku qëndroi një javë.Asnjeri nuk i shkoi për vizitë.As edhe kolegu i depos.Kur doli,i thotë kolegut(këto m’i tregoi kolegu që e kisha shok),:-More Bardhi si nuk më erdhe për të parë në spital?Unë,-më tha ai,-ula kokën nga turpi.Sa u mata t’i thosha që nuk ma mbante,ai plotësoi:-Po në spital qe shtruar një njeri,nuk qe Sejfullai.Kur më tha kështu,-më thoshte shoku,-m’u duk sikur më qëlloi me shuplakë..
* * *
Sejfullai shkonte çdo mbrëmje në kinema.le ta kishte parë filimin.Atje do ta gjeje çdo natë.Kur,për fatin të mirë,një natë e pata ngjitur me karriken time.Rastësi që më bëri me fletë.Kur po shfaqesh dokumentari,i them me ngadalë:-Profesor,jam i dashuruar me poezitë e tua dhe së fundi kam lexuar një poezi pa autor,mos është gjë juaja?(ishte në modë që poezitë e të”padëshirueshmëve”si Lame Kodra e Co…botoheshin pa emrat e autorëve;po kështu dhe përkthimet!).Ai:-Pa ma thuaj?-I recitova një strofë.-Aha,-më tha,-nuk është e imja.Është e Petro Markos.Ku shkruaj dot unë aq bukur si Petrua?!Sa modest dhe sa madhështor m’u duk me ato fjalë.Dhe sa vlerësim kishte për kolegët emirë siç qenë Petro Marko,Skënder Luarasi,Nonda Bulka,Nexhat Hakiu apo edhe ndonjë tjetër.
Ja,këto qenë “takimet” e mia me Sejfullanë,që,megjithëse s’janë të drejtpërdrejta,diçka thonë për këtë personalitet që është lënë në hije dhe i harruar.Kur them kështu,s’kam mos vë në dukje edhe një fakt::as demokarcia nuk bëri gjë për këtë personalitet të madh shqiptar.Them kështu se vetëm,poeti Nuredin Boriçi nga Fieri që bëri 7-vjet burg për agjitacion e propangandë,u bë nismëtar për të ngritur një qivur për të.Më shumë Nuredini hëngri “dhjamin” etij dhe e realizoi këtë nismë,po unë shtoj:ku është shteti demokratik?PO Ministria eKulturës?Po Lidhja e Shkrimtarëve që e ka patur të parin kryetar?Asgjëkundi.Aq keq,sa të duket,se vetëm qerrja ka ndryshuar,kuajët janë po ata.
27 prill 2008

Pri 26

1.Zë mendohem këtu,larg
Zë mendohem këtu,larg;zë mendohem si me nge
Sepse shpirtin e kam plagë,se në shpirt unë kam shëndre!
Dhe më mbysin mua kujtimet:ca të vjetëra,ca të ra!
Zemra pasi nga rënkimet:sa po vuaj,i shkreti,sa?!

Ç’është kështu,them me vete?Nga më erdhi ky mallkim?
Edhe gjej njëmijë sebepe,për të gjetur ngushëllim
Por së fundi,zë ekthiellem,nga i dehur,bëhem esull!
Pyetjes,tani,i gjej gjegjen:në Shqipëri të shkoj që nesër.
12 prill 2004
2.U rrit gjitonia
U rrit,gjitonia,u rrit
Si lule që hedh shtat çdo ditë
Dhe gjoksi miturak po i rritet
E sheh… dhe më s’më avitet.

Kjo gjë s’më pëlqen aspak
Se lulet i dua,sado plak!
Gjitonia që u rrit,s’ma varë
Dhe kjo më bën për të qarë.
12 prill 2004
3.Kur të shoh
Kur të shoh aq të ujdisur
Sikur nisesh për sfilatë
Zemra tak e merr të krisur
Se s’duroj,jam plak e ngratë.

Ky fustan kaq i hapur
Gjiri varet si bostan
Mbeta unë me gojë të hapur
Se s’e duroj “hatanë”

Se hata e shkuar hatasë
Kjo stolisje kaq e rëndë
S’i bëj ballë,moj zonjë,sevdasë
Se dhe zemra më rreh “tëng!”
12 prill 2004
4.Shpirti im
Shpirti im i përvëluar si i pjekur përmbi zjarr
Po regëtin i dëshiruar,po regëtin i mbushur mall.
Ca më keq u poq mërgimit dhe u mbush i tëri plagë.
Shpirt,o shpirt I Përparimit, po regëtin se je i vrarë.

Mall për miqtë që u në i pata,që i pata po s’i kam
Ja u thinja,ja u plaka,porse mallin-mal e kam!
Mall kam më shumë për vendin,ky është malli përmbi mall
Ndaj,o shpirt,s’ embaj dot helmin(fryj e shfryj unë me ngadalë)
13 prill 2004
5.Do këndoj pleqërisht
“Këmbëkryq përmbi selishte
Po nis këngën pleqërishte…”
Lame Kodra
Do këndoj unë pleqërisht,ndaj avazi është i vjetër
Këtë këngë do ta ujdis dhe s’dua saze as orkestër
Do këndoj si babagjysh:qysh këndohej nga qëmoti
Mos më thoni si a qysh,se s’këndoj unë kot së koti.

Kënga ime,këngë plaku që buron nga thellësia
Është malaksur gulçegjaku dhe është valë si dashuria
Kënga ime mbushur mall:sa për miq dhe sa për shokë
Se nga malli jam dangall,ndaj këndoj si një ulok.
13 prill 2004
6.Dyzim
Fuqi vërtet s’kam,po nepsi s’më lë
se sa nuk bëj bam,kur shoh unë “një?!”
Një femër po them, të bërë si me dorë
Veç bëhem ujem dhe gati marrë horë.
13 prill 2004
7.Shpresë
“…shpresa- malli që shitet më lirë”
Asdreni
Jetojmë me shpresë
Dhe mbetemi duke pritur
Çdo darkë e mëngjes
Si të uritur?!
Dhe rrimë e presim…
Deri sa të vdesim.
14 prill 2004
8.Shija e dashurisë
Shijen e dashurisë e kam provuar
Është e ëmbël,pothuajëse,mjaltë!
Po s’ka si dashuria e parë
Atëhere kur zë qiellin e shtatë…
15 prill 2004
9.E,si mundet?
E,si mundet?Si mundet t’i harrosh
Ata sy aq të bukur,të mbushur qiell?!
i pija këta sy dhe bëhesha “sarhosh”
se “rakia”qe e fortë:si e zirë dy herë!

Dhe rakia e fortë të goditë në kokë
Së pari,të merr mëndjen,mandej ymrin?!
Jo,jo:kurrë nuk mund të harrosh
Ata sy mbushur qiell që më sillnin prillin.
15 prill 2004
10Tek frashëri i Sulit
Tek frashëri i Sulit në Petovë (1)
Kam hipur dhe po nxjerrë lëkurë.
Lëkura e frashërit,tani,e njomë
E mirë për bori apo culë.

E bëra borinë dhe nisa t’i bie
Një avazi të vjetër myzeqar
O mall,o mall,Ç’më shpie
Në fshatin që kam vjete pa parë?

Atje,në Petovë,më ka rënë koka
Dhe kalova atje fëmijërinë
E dua Petovën sa bota
Si mal për të kam dashurinë.

Çerek shekulli atje qeshë mësues
S’humbas atje dhe po u bësh i verbër
Cylën e qaj unë si rrallëkush
Se kot për të nuk jam “mjeshtër”
!.Petovë-vendlindja ime,në Fier.
16 prill 2004

Pri 26

1.Durimi m’u sos
Drita e agimit u derdh mbi dritare
Unë,shtrirë,si snob,këtu,mbi krevat
Moj dritë e agimit,ç’më sjell kësaj radhe?
Se jam duke pritur,po mbeta shpresëthatë.

Mendime gjithfarësh vijnë,më turbullojnë
Humbas mendimesh dhe bëhem kaos
Shpresëthatët si unë shpresojnë e shpresojnë
Thinjur jam mendimesh:durimi m’u sos.
11 prill 2004
2.S’jam i trashë
“Duhet të jesh i trashë që pret të rrosh
me poezi”
Xhek London
S’jam i trashë që pres të rroj me poezi!
Poezitë më dhimben.Për to kam nderim.
E di që do vdes pa patur pasuri
Po mbetën në sirtar,ky është pengu im.

Vetëm dua që të dalin në dritë
Lexuesi,mandej,t’u vërë notën
Në to do të gjeni timin shpirt
Të shihni sa e kam dashur botën.
11 prill 2004
3.Ah,ky shi!
Ah,ky shi që bie pa pushuar
Një kohë tjetër më sjell ndërmënd
Ku,nëpër shi,të dy përqafuar
Nuk pyesnim për shiun,se kishim vënë pëndë.
12 prill 2004
4.Në s’të thashë
Në s’të thashë çfarl mbaj fshehur,
Kjo e fshehtë për ty nuk qe.
Se lexohej ç’mbaje fshehur
Qe e njohur për ty,de!

Në se gojën unë s’e hapa,
Kjo lexohej mu në sy.
Në pa folur unë të “kapa”
Mos ma quaj ti përdhuni.

Ja e fshehta doli qartas
Ja misteri u zbulua
Çfarë t’i them e ç’t'i vij anës
Çdo gjë ndodhi se të dua.
12 prill 2004
5.Ata sy aq të bukur
Ata sy aq të bukur që s’i pashë asgjëkund
Ku i vodhe,o moj flutur, se i pashë dhe dot nuk mund
S’mund të rri fare i qetë;iku-iku nga unë gjumi
Ata sy dhe qiell,dhe det:po s’i putha,më erdh fundi.
12 prill 2004
6.Unë
Unë një zog i “arratisur”,dua të kthehem në fole
Se më duket jam mbollisur,sikur kohën kam me nge!
Se më s’mban ujë pilafi,malli i madh më ka pushtuar
Ah,ç’po heq,ç’po heq,i ngrati:jam këtu i “robëruar”
12 prill 2004
7.Shpirti im
Shpirti im i dashuruar,ka vënë krahë,ka vënë fletë
Se nga malli i përvëluar,fluturon si shpezë e lehtë.
Niset larg e duke qarë,duke qarë e bërë oi
Dhe qëndron tek malli i parë:në të bukurën,Shqipëri.
12 prill 2008
8.Ka ca gjëra
Ka ca gjëra që s’i bën,kur je ballas me një tjetër
Edhe veten pak e nëmë,sado je ti “stekë e vjetër”
Qejf ke shumë,po nuk guxon:të bien pëndët lepurak
Dhe,sado që dashuron,rri si vuv a belbacak.

S’e ke pranë?Zë bëhesh trim:mend të merr ti gjak në vetull?!
Edhe mbushesh me guxim:ti tani gati thyen hekur?!
Ballë për ballë si pulë e lagur,as ehap ti gojën fare
E,ku je,mor trim i çartur,katandise për 5 pare.
12 prill 2004
9.Shikoj buzën
Shikoj buzën miturake që po çelë si një burbuqe
Ti më je si një zambake,unë një plak imbushur huqe.
tek hepçohet buza jote,tek hepohet miturisht
Sado plak dhe jo pa droje,e puth buzën dashurisht.
12 prill 2004
10.Sot
Sot më zu një mall i rëndë,më zu keqas dhe s’më lë
Ah,them unë,që nuk kam pëndë!MU si zog unë krahë të vë!
E të nisem fluturim,pa ndaluar asgjëkund
Vij tek ti,o shpirti im,Të qëndroj gjëkund nuk mund.

S’mund që mallin unë ta mbaj,po më bluan e po më mpak
Se nga malli,sa s’po qaj;si të jem paloçunak.
12 prill 2004

Pri 23

17.Moj e bukur si prilli
Moj e bukur si prilli
Dil,moj,dil atje,tek pylli
Dil,moj,se më iku syri
Se s’duroj dot

Hajde se këndon bilbili
Apo nuk fryn zefiri
Se u dogja si qymyri
Frymë s’po marr dot

Moj e bukur si prilli
Hajde se të pres fakiri
Mu si dallgë më hidhet gjiri
Zemra fshan me lot…
1 prill 2001
18.Analogji
U mek bilbili tek këndon në pyll
Po ti ku je,e dashura si yll?
Pa shih si e dredh zërin,me derte e qarje
Bilbileshën po ndjell…duket ashiqare

E ndjek nga afër:e shoh që derdhë mall
Mendja tek ti;ku do jeshë,vallë?
Tani s’është punë:i shqeu kordat fare
Duket është si unë:ngarkuar me malle.
2 prill 2001
19.Amor
Shpirtin diçka përbrenda ma bren
Se ç’diçka është,askush nuk e gjen.
Ma bren avash,ma bren ngadalë
A s’bën kështu mola që bren ca trarë?!

Nuk gjej rehat,nuk gjej qetësi
Si mund të qetohem kur ike ti?
S’më vjen të dalë dhe mbeta brenda
Oh,ç’plagë që kam,këtu,përbrenda!

Dhe plaga rrjedhë,dhe plaga dhëmb
Unë vj vërdall dhe hiç nuk zë vënd
Se është një plagë që s’do doktor
Ilaçin e plagës:e ke ti,amor…
2 prill 2001
20.Fati
“Me fatin veç u gridkam kot
Ai më talli dhe më fort…”
Lermentov
Fati me mua bëri si deshi
Kur doja baluke,ai më qethi.
Më la pa punë;pa plangë e shtëpi
Më nisi kurbetit,në pleqëri.

I humba unë me miq e shokë
Dhe vërdallisem,por fare kot
Ditët i shtyj sikur jam murg
Trupin të lirë,po shpirtin në burg.

Më talli dje,më tall dhe sot
Po pse,kështu,o i Madhi Zot?!
Kur e kam radhën të më qeshë fati?
Apo kështu do vdes unë,i ngrati?
3 prill 2001
21.Unë
Unë s’renda pas një dashurie të kotë
As dashuri nuk kërkova me dhunë
Për dashurinë kam qenë zemërdobtë
Gënjështër si Don ZHuan s’përdora unë.

Mua vërtet më rrëmbente një sy
Apo një buzë sensuale që të ndjellë
Unë kam bërë vërtet dashuri
Kur ndjenja qe reciproke,e thellë.

Ndodhte që dikush s’më priti krahhapur
(se bukurosh nuk qeshë si Esenini?!)
Po urrejtje kurrë-kurrë nuk kam shfaqur
Për iksin që s’i pëlqeu Përparimi.

Thashë që kam dashur me zemër,me gjak
Dersa tek unë një ditë erdhë Sika
Dhe ndjenjat i shtypa,i zura në lak
Për Sikën,dhe tash,më bie pika.
3 prill 2001
22..Pritja
Qielli i mbushur plot me yje
Disku i hënës-gjak
Po ti hajde,mikja ime,
Se u mardha pak.

U këput një yll nga qielli
(thashë unë emrin tënd!)
Hajde,moj,të pres,i mjeri
Meraku më çmënd.

Qielli i mbushur plot me yje
Ç’qetësi ka kjo natë!
Ja tek vjen,o shpirtja ime,
Dal të pres me vrap.

Disku i hënës kuqëlon
Në qiellin me yje
PO ne hiç s’na bëhet vonë
Shtrirë në korie.
4 prill 2001
23.Prilli
Ja dhe prilli i magjishëm
Hapi krahët,më pushtoi
Se natyrën ka stolisur
Shih se ç’lule:gjithëfarësoj.

Gjelbërosh e ka bërë pyllin
Shih se ç’fresk e mrekulli
Të dëgjosh një çast bilbilin
Me gojëhapur mbetesh ti.

Ja dhe bletët marrin pjalmin
Tek shetisin nëpër lule
E,mandej,gatisin mjaltin
Mjaltë,se ç’mjaltë, i tëri lule.

I shikoj këto bukuri
Dhe tundohem nga një trill
Them pse,moj bukuri,
Them pse nuk quhesh prill.

Ka më bukur vallë nga prilli
Qielli i pastër dhe pa re
Pale kur ia thotë bilbili
S’ka më bukur përmbi dhe.
6 prill 2001
24.Thanë
Kur humba paratë unë tek “GJallica”
Përjashtim s’do bëja:i vetëm s’isha!
Lajmi u përhap,derë më derë në fshat
Ja,më së fundi,e merr vesh një plak

-Pse edhe Papi i humbi paratë?
Dhe ne e dinim me shkollë,me kartë
Unë e dija të mënçmin e kazasë
Paska qenë budallai i dynjasë…
7 prill 2001
25.Mbi hamak
Mbi hamakun prej rrjete unë tund mbesën
Përballë.mbi hamak,tund çupën ti!
Gjumi të vegjëlit i zë si mbi djepe
ne shikohemi,buzëqeshim,por çfarë tundim me sy?
8 prill 2001
26.Vargu im
Vargu im si dre i plagosur
sa plagë,ka marrë,sa plagë!
Shpirtin e kam të sakatosur
Ndaj vargu më del i vrazhdë.

U vra,mjerisht,vargu im
Poezia,njëkohësisht,u vra
Kurbeti më mbyti hidhërim
Ndaj vargjet i shkruaj me “ah!”

Në se poezia del e stisur
se “majaja” shqiptare mungon
Ndodh se jam i mërzitur
Dhe vargu,s’do mend,që çalon

Çalon si dre i plagosur
Veç plagës do shihni dhe lotë
Por zemra ime e rrebelosur
Skruan se dhimbjen s’mban dot.
8 prill 2001
27.E kam vendosur
Poezinë time do tabëj pushkë
Fishekët me të ardhme do t’i mbush
Do vrasë prapësitë,zëniet-mëritë
Dhe politikanët:cmirëzinjtë!

Me pushkë do dal ballas
Fishekët do zë t’i zbraz radhas
Derisa,ç’thashë lart,t’i shoh shtrirë
Të shpëtojë Shqipëria,njëherë e mirë
8 prill 2001

Pri 23

1.Me Robert Bërnsin”ngjaj” pak
Pse çuditi?Me Robert Bërnsin “ngjaj”pak
Malësor nga Skocia qe ai,unë nga Skrapari jam me gjak.
Robert Bërnsi,vërtet shkroi vargje,po a nuk qe fshatar?
Po unë a nuk shkruaj vargje dhe a nuk jam dhe unë fshatar?

E kini vënë re?Diku ai e quan veten Robin
E dini përse?”Që të rimojë me emrin tim?!!!”
Në vargjet e tij janë të ëmbël,të gjithë:për flautë e fagotë
Aha,për mua kjo është ëndërr(ja,këtu,s’i ngjaj dot!)

Do të thoni ju::-Shih,pa shih,ç’bën Përparimi!
Dashka të na hiqet,tani,si Robini?!.
Na e heqka veten si poet të rrallë,
Epo vëlla nuk e kam…dhe as kushëri të parë.
20 prill 2001
2.Koha e drynave
Poetit Maku Pone
Ç’të them,ç’të them,o miku im?
Lëre e mos e nga…
Shtëpinë time mbylla me dryn
Në kurbet u nisa…ja.

Dhe gjësend brenda s’ka atje
Miu atje thyen kokën
Po unë me mend nuk di sepse
Atje e paskam kokën.

Jam det,i tëri-pikëllimë
(Kështu jam në kurbet!)
Ah,kohë e “dyerëve me dryn”
Mallkuar,kush qe sebep…
21 prill 2001
3.Mos u bjerë qenëve
Piktorit,Jani Dumi
Jani Dumi qe “boajxhi”,po kish shpirt poeti
Këndonte boja në duart etij,piktor qe nga talenti!
I varfër ishte Jani Dumi,i pasur qe nga shpirti
Ai kish një shpirt pëllumbi,me zemër qe si Krishti

Më zuri nata me Jani Dumin(një natë sterrë,pa hënë!)
Diku me tahmin,kërkoj unë gurin(se na sulmuan ca qenë!)
Çfarë bën?-m’u sul Jani mua.Ç’bën?Mos u bjerë qenëve!
U re qenëve,prishe me mua.Nata është e qenëve!

Na hanë,- kërkoj të mbrohesha unë.-Esheh,e sheh si lehin?
-Mirë bëjnë,- the,o Jani Dum,Qentë për natën i kemi.
Bëmë si bëmë,i shmangëm qentë;me gur unë s’i qëllova
Po kjo ngjarje s’më del nga mendtë.Për Janin ndaj unë shkrova.
21 prill 2001
4..”Lektorja”
Më tha:-Ajo të do,po ti nuk e ke vënë re?!
-Hjade të shkojmë tek stoli ku njeri s’na sheh!

Shkuam edhe tek stoli(u ulëm të dy bashkë)
-Ke puthur ndonjeherë?Më trego,më qafshë!

-Hape pak gojen,se nuk është dhe aq”kollaj”
(MBi buzët e mia,puthje e nxehtë e saj)

-Nëma pak dorën(ma vuri përmbi gji?!)
Tash,hë,-më tha,- fërkoma tani!

-Epo,kjo s’durohet:poqenke fare”bosh”
Po,hë,mor”lumëmadh,pa sulu pak më poshtë!

Dhe,si”mbaruam punë”,më tha:-A e pe?
“AJo ty të do,po ti s’e ke vënë re…”
22 prill 2001
5.Më mori malli për Zoin
Poetit Zoi Dashi
Më mori malli për Zoi Dashin
(Zoin,pa tjetër,t’ma gjeni!)
Atë,të hollin si lapsi
Që në Athinë bën “Jetë qeni” (1)

Gjemani Zoin atje,në Athinë.
A ndoshta ka shkuar gjer në Kretë?
I thoni:-Të pret miku yt,Përparim,
Këtu,në U:S:A;,në kurbet.

Në se me kallo ti ke duarët
Me kallo kam shpirtin tim
Ta dish,sa s’më merr të qarët
Ç’po vuaj, ç’po vuaj,o miku im!

Prandaj,hajde,o mik këtu
Që hallet bashkë t’i qajmë
Po vuaj dhe unë njësoj si ju
Zemra sa s’bën bam…
1.Jetë qeni-libër me poezi nga Zoi Dashi
22 prill 2001
6.Dua të jem cigan
S’di pse m’u tek që të jem cigan
Apo pse ciganët”fis”bredhjen kanë?
Dua që të gjezdis botën me pashë
Ditënetet si ata t’i kaloj jashtë.

Dielli të më nxijë,të më bëjë zezak
Shiu e të ftohtët të me therin në palcë
Erën ta pres me gjoks si Makar Çudra (1)
Çadrën e fundit,ta ngre në Mbrostar-Ura (2)

Aty dua të prehem,tek ura,mbi lumë
S’Ka gjë në jam korb apo qeshë pëllumb
Cigan dua të bëhem dhe hiç s’jam pishman
Se shpirtin kam helm…e kam shafran.
22 prill 2002
1.Makar Çudra-personazh i Gorkit
2.Mbrostar-Ura-fshati im në Fier
7.Më mori malli për një kaba myzeqare
Më mori malli për një kaba myzeqare
Të dëgjoj një orkestër nga ato:me saze!
Të luajë me gërnetë Haxhiu nga Mbrostari
Violinë ta qajë Telua nga Zhupani.

LLahutën ta mbushë siç di Nexhipi
Defin le ta”grisë” si dikur,Xheviti!
Mandej,për vete,të marrin një”xhërr”
Do jepja për”xhërrin” shpirtin të tërë.
23 prill 2001
8.”Orfeu” i vogël
Kryeministri,Mehmet Shehu,kish dalë për gjah
Dëgjon një fyell…dhe gjahun pak e la!
-Ma gjeni fyelltarin!-urdheroi të tijën shpurë
Në pyjet e Lushnjes,ka ndodhur…që kur.

Me mend shkoi në fshat(udhëtoi në Corrush) 1
Kur fyellit i binte,si ai?Rrallkush…
U hap “lukunia” dhe fyelltarin e gjeti
Qe një nxënës shkolle,me dhi qe,i shkreti!

-Pa bjeri pak fyellit,-i tha vogëlushit
Me mendje u “mpak”,udhëtoi drejt Corrushit.
I ra vogëlushi si Pan e Orfe?!
-Bravo të qoftë!Po sa shkollë ti ke?

-Unë sivjet mbaroi klasën e tetë
-A do ta vazhdosh shkollën?-”mysafiri” e pyet..
-Dua,aman,po në shkollë s’më çon dot.
Babanë e kam kulak!!!-E merr vesh,o shok?!

Pa qeshi kryeministri me këtë çiltërsi
-Qenka kulak?!Po ç’ka bërë ai?
-Nuk do kooperativën,atje s’kemi hyrë.
-Mirë,na kënaqe.Tani ditën e mirë!

Por jo me kaq,s’mbaron kjo histori
Se “djalli”,kur thonë,s’është gjithmonë i zi?!!!
Kur erdh shtatori,ky shkoi në lice
Tani është artist dhe falutit i bie.
23 prill 2001
1.Corrush-vendlindja e M.Shehut nëMallakastër.
9.”Nuslala”
Këmbët vrava në ugare
Pas ndoqa një”nuslale”
Nëpër plisa,nëpër gorga
Këmbët seç m’u bënë copa.

Ke parë ti:ishte flatun!
Ç’U djersita,i ziu unë.
Ç’u djersita,ç’u djersita
Nëpër plisa e arrita.

E arrita,e marrë hopa
Dhe e shtriva mu tek gropa
Mu tek gropa,në ugare
Ç’më kënaqe,moj nuslale.
24 prill 2008
10.A jam i lumtur?
Ti më thuaj:-A jam i lumtur që kapërceva këtë prag,
Që ika nga Shqipëria,mijëra kilometra larg?
Po jam i “lumtur”,sa ç’është një mi
Që e kanë zënë me çarg…
24 prill 2001

Pri 21

11.Agavita
Agavita-bimë e rrallë,që çan shkëmbin dhe jeton
Pikëla vese e mbajnë gjallë(nata vesë asaj i çon)
Dhe aty mbi shkëmb të thatë,ndehet-dergjet nën diell
Do ta presësh çerek shekulli,mandej lule zë e çelë.

Mu si lule e agavitës(sikur unë kam mbirë në shkëmb)
Por s’jetoj me pikëla vese,po me shpresën që s’e tremb
Se e di,një ditë do të ndodhë:do çelë lule”agavita”
Ndaj kur erdhë demokracia,unë “vrapova” dhe e prita.
28 prill 2001
12.E ndeve fustanin mbi tel
Ti ndeve fustanin mbi tel.
Unë mbi tel”ndeva” sytë
Seç kam një tis rebel
Humbas kur shoh”mrekullitë”"

Fustanin nderë mbi tel
E fryjti era ,e bëri si ballonë
Por sytë e mi shkuan “bedel”
Ikën dhe s’i gjej më,për zonë.

Ti del dhe merr fustanin
Në duar:ke sytë e mi
Epo kot nuk bëj jaranin
I fala për dashuri.
28 prill 2001
13.E dashur…
Sime shoqeje,Sikës!
Dy trungjet tanë.tash.kanë një rrënjë
Degët e “pemëve tona”,të mpleksura,të lidhura
Lulet dhe frutet:zënë nga një rrënjë
Dhe janë tonat:s’ka aty më jotja apo imja.

Humbëm dhe u”shkrimë” dhe u bëmë një
Dy që marrim frymë,po jetojmë si një!
Bashkë përballuam erëra dhe stuhi
Rrënjë qemë një,trungje qemë dy.

Ti vdes për mua,unë vdes për ty
Do vdesim,njëherësh:rrënjë jemi nji…
29 prill 2001
14.Ikja e prillit
Ti po ikën, gjelbërosh,për të ardhur përsëri
Po s’e di, o bukurosh,se sa mall kemi për ty!
Mbushe botën gjelbërim edhe fushat plot me bar
Nëpër pyje cicërima.në mal shkrin borë e bardhë.

Do na marrë malli për ty dhe për ajërin e shëndetshëm.
Se ti je muaj i bukur(ah,të ishe i përjetshëm!)
Sot po shkon si një fatos që e kreve mirë detyrën
Për t’u kthyer përsëri dhe për të zbukuruar natyrën.
30 prill 2008
15.Testament
Pleqëria po më vjen(m’i hedh çapat tinëzisht!)
Që mos vijë,nuk i them(një kërkesë kam veçanërisht)
Le të vijë,mirëse të vijë(të qëndrojë sa ka caktuar?!)
Ai lart që poshtë shikon(veç të jem me këmbë me duar!)

Pa të kem mendjen në kokë dhe të shoh edhe nga sytë
Ndryshe,drejt e mu në gropë(nuk duroj qoft dhe një ditë)
Ja ,e bëra testamentin:testamentin tim të jetës
Zoti le të mbajë shënim:porosi t’i japë vdekjes.
16 prill 2001
16.”Hakmarrëse” e pacakë
Unë të thashë:-Të puth içikë?
M’u përgjejge:-S’do ndodhë kurrë!
Mirëpo një t’u bërë”nevrik”
Dhe të putha,se jam “burrë!”

Të mbërtheva të dy duarët
Si të futja në morsetë!
E t’i putha buzët,duarët
S’kundërshtoje,moj lanetkë!

Pastaj qe ti që nise”sulmin”
Më the:-Pak,sa të marrë”hak”
Ma kalove mua,gjaurit.
Qe “hakmarrëse” e pacakë.
18 prill 2001

Pri 21

Pershendetje,

në radhë të parë, falënderoj z.Blendi Salaj dhe Penar Musarai që më grishën për këtë blog…Nga ana tjetër, njoftoj të gjithë ata dashamirë që do kenë kohë për të ardhur tek ky blog, se këtu do të gjeni gjithë çfarë kam shkruar në vite apo në vazhdim.
* * *
Jam duke”rendur” drejt të shtatëdhjetave dhe, ndoshta,duhet të jem më i vjetri këtu tek ky blog. Kam punuar mbi 40-vjet mësues dhe jetën nuk e kam patur aspak të lehtë. Më ka ndjekur pas”lufta e kllasës” dhe kokën e kam patur, pothuaj,mbi sini. E quaj veten me fat,që i kam shpëtuar burgut. Sidoqoftë,qaraman nuk kam pse bëhem,se janë qindra a mijëra ata që kanë hequr më keq se unë.
Për të krijuar një vizion, kalimthi, për jetën time dhe se kush jam unë, po rreshtoj dy vjersha të miat.

1.Koha

Koha ka veshur pantofla
Dhe reshperon,pa u ndjerë.
Po mua pse më bloi në mokrra?
Ç’është ky mister?!….

~o~
2.Po thanë për mua
Po thanë për mua:
Si mësues? Ç’ka! Mesatar?!!!
E, ç’paska vallë, këtu, për t’u hidhëruar?!

Po thanë:
Si krijues? Shkruan shumë e për lumë
E, pse vallë do mërzitem unë?

Në thanë,
Se zhgënjeva dikë si njeri,
Atëherë, kush të më dojë,
Të më qajë me oi…
Besoj që, pak a shumë,tani më njihni.
Mezi pres mendimet tuaja për shkrimet e mia.

Përparim Hysi,21 prill 2008

Pri 21

Perparim Hysi
(mozaik me vargje)

1.Ti

Ti ke shikimin të një nuselale
Sa të hedhë sytë dhe të ngrinë në vend?!
Të lutem!Të lutem,o shtojzovalle,
Ma hiq shikimin,se po më çmënd…

1 prill 2004

2.Tani

Tani kam vënë krahë:jam bërë Ikar?!
Fluturim dhe frymën e mbaj në Mbrostar…(1)
Do të ulem të çlodhem në kodrat me ulli
Të nginjem me ajër made in Shqipëri.

Pastaj,si të nginjem,nga gazi t’ia thërres:
-Më që këtu s’luaj:këtu dua të vdes.
1.Mbrostar-vendbanimi im në Fier

1 prill 2004

3.Meditim mbi liqen

Pishat po krihen në pasqyrën e liqenit
Dielli,zilar,i ndjek nga lart
Ca rosa llapashiten aty prej shendit
Më tej:zhytet-mbytet një kredharak.

Dita e florinjtë mbushet cicërima
Si një kor mikst kënduar nga zogjtë e pyllit
Aty,buzë liqenit,zë bëj vara-vinga
Në jam i mërzitur,buzëqesh prej gëzimit.

7 prill 2004

4.Ky ajër

Ky ajër kundërmon era limon
Tek hyn në mushkëri,më fryn si ballonë!
Perin kam lëshuar,fluturoj mbi re
Era seç më merr dhe më shpie atje…

Atje,andej larg,ku është Shqipëria
Se s’mbahem së fryjturi,nga dashuria.

7 prill 2004

5.Gjatë jetës

Çomanget e fatit kokën ma përgjakën
Po kurrë kokën s’ma përulën.
Ja,të tillë e pata unë fatin
Dhe shumë shtiza jetës m’u ngulën.

Kuptohet që trupit e shpirtit mora plagë
Se,shpesh,u godita befas
Këto plagë dëshmi më janë
Se keq e kam patur gjatë jetës.

11 prill 2004

6.Prill

Një fllad i freskët si puhizë
Ma mushi plot mushkërinë
Dëgjoj bilbilin mbi një drizë
Për qejf e thotë melodinë.

Gjllëron gjithçka që sheh për rreth
Gjithnaja e mbushur blerim
E mbushem fllad,e mbushen shend
Harroj që jam në mërgim.

Se priili është pakëz magjistar
Mërzitjen si me dorë ta heqë
Ah,prill i bukur!Ah,lozonjar!
Magjistar je për besë…

13 prill 2004

7.Dhe më teket

Dhe më teket për një buzë,
Dhe më teket për një sy
Zë më ha e imja buzë
Sa e shoh një bukuri

Nepsi keqas më mbërthen,
Më mbërthen e nuk më lë
Shoh një sy,bëhem ujem
Buzën time dua t’i vë.

Dua t’ia vë si kapak
Mu mbi buzën e asaj
Se s’më lë i ziu merak
Mua që dreqi të më hajë…

14 prill 2004

8. Përshtypje

Humbas si nga magjia e trupave që shoh
Nën dritën e florinjtë të një dielli të bukur
Aq e humbas filin,sa s’bëj obobo!
Në një stafetë femrash(përgjoj i paskrupull?!)

Të bëra me dorë:të thekura,të pjekura
Mendjen ta marrin, ta ngrenë avadan
Unë i lakmoj(s’do mend që fshehura?!)
Dëshira dhe nepsi shpërthejnë si vullkan.

15 prill 2004

9.Kam mall për Divjakën

Aq mall kam,o miq,për Divjakën
Nga malli për të,po thinjem,po plakem
Një copë herë,-them me vete,-atje të isha
Të lahem në det,të shtrihem nën pisha.

Dëshira ime shkon merr arratinë
Atje,në Divjakë.S’e mbaj dot dashurinë.
Në kam mall për Divjakën,e kam dhe një shkak.
Ca çaste intime paçë kur isha çunak.

Tani që u thinja dhe jam aq shumë larg
Me mendje aty vij, e shtrenjta Divjakë!
Të lahem në det,të gjuaj në lagunë
Në vdeksha këtu,luvgat për ty unë…

15 prill 2004

10.Pranverë 1997

Ajo që ndodhi në vitin 1997
Si njollë e zezë,si damkë,si mankth
Ajo pranverë qe e tëra zeher
As lulet,po t’i shihje,s’kishin më erë.

Dhe mos kujtoni se e sollën djajt
Por politikanët(të djathë e të majtë)
Të gjithë i nëmë:pa përjashtim
E kthyen gjithë vendin në vidhimë.
15 prill 2004
11.U bëra i gjezdisur
U bëra i gjezdisur:tani botë kam parë.
Po s’ka më të bukur,se ti,O Mbrostar?! (1)
Çuditet lexuesi:-Është në vete ky?
Jam që çke me të…merrni sytë e mi!

Kur them kështu,s’jam fare i lajthitur
Jo se nuk kam parë vende plot të ndritur?!
Po për mua je”përshesh i parë”
Shijen veç ia di kush është si unë,fshatar…
1.Mbrostar…-vendbanimi im në Fier.

16 prill 2004

11.Pranvera

Shpirti im i gjithë u çelë
Dhe u mbush plot me blerim
Shikoj dimrin që po del
Edhe mbushem plot gëzim

Se në fusha ka gjallëri
Shih si grurërat gjelbërojnë
Mu në pyll një simfoni
Ja,më tej,një cylë këndon.

Pemët mbushur krejt me lule
Bari rritet tej në fushë
Unë tani jam tëri vrulle
O pranverë,me gaz më mbush.

19 prill 2004

12.M’u bë një ëndërr

M’u bë një ëndërr dhe nënës do t’i them të ma vërë në tezgjah
Dhe atje,atë ëndërr,t’ma endë si qilim.
Jam kapur pas ëndrrës aq shumë sa,
Dua që këtë ëndërr ta mbaj si kujtim.

Ta vendos këtë”qilim” në dhomën e pritjes
Ku shkelin,siç dihet,mysafirë të rrallë
E shtrenjtë kjo ëndërr në vitet e ikjes
Se është nga vendi im(ndaj e dua të “gjallë”)

Ta mbaj si reliktë apo si dëshmi
Që mysafirëve që pres,t’ua tregoj
T’u them se sa kjo ëndërr made in Shqipëri
Asgjë tjetër më shumë nuk dashuroj.

20 prill 2004

13.Ngjaj pak me Ali Pashë Tepelenën

Ja që ngjaj pak me Ali Pashë Tepelenën
A s’ka ai dy varre?
Dëgjoni tani nga unë të vërtetën
Dhe gjykomëni drejt dhe ashiqare.

Unë vërtet me trup jam në Amerikë
Po me shpirt jam në Shqipëri
Hë,u ngjaj me Pashanë ndonjë çikë?
Mos thoni që po bëj blasfemi…

21 prill 2004

13.Harlisje

Kohë e bukur.Është pranverë!
Gjithë natyra sikur qesh!
Rihem unë si djalë njëherë
Buza shkon si vesh më vesh.

Deti i madh i gjelbërimit
Është i mbushur plot gjallesa
Plaku dehet prej gëzimit
Sado po troket shtatëdhjeta?!

Bota kredhur në stoli
Sa sheh syri,s’ka më bukur!
Def-o sun,o pleqëri!
Se dhe shpirti m’u bë flutur.

Flutur-flutur,fluturoj
Pa shiko:zë kërkoj lule?!
Se pranvera më çartoi
U “kurdisa”,se kam huqe…

23 prill 2004

14.Tash e tutje

Tash e tutje:shih e shkruaj
Çfarë të them,as vet s’e di
Ah,ta hajë ,dreqi ta hajë!
Të hajë dreqi,pleqëri!

Se më je aq e vështirë
Si sëmundje e keqe,eligë
A më tepër:djall me brirë
Je e keqe…edhe pikë.

Dua me shkop të të përzë
Ja që s’mundem,s’e kam lehtë.
Ulesh shesh e poshtë më vë
Pleqëri,moj qofsh lanet.
25 prill 2004
15.Ujem
Po luhatet në ajër një erë kundërmuese
Se lule gjithfarëngjyrash kanë harlisur
Ah,kjo ditë ,sa e mrekullueshme
E ndjej, e shijoj se jam duke shetitur.

Fryn një fllad sikur është zefir
Ajër i freskët ma mbush plot mushkërinë
Dielli i bukur nga lart bën sehir
Kënaqesh,kënaqesh nga kjo mrekulli.

Mrekulli është,kot s’është ditëprilli
Dhe shpirti kënaqet,dhe zemra dëfren
E ndjej sa bukur ia thotë bilibil
Ngopem me të tëra,sa bëhem-ujem…
26 prill 2004
Përparim Hysi,dërguar për”peshkupauje” më 7 prill 2008

««