vazhdim i poezive te shkruara ne prill

17.Moj e bukur si prilli
Moj e bukur si prilli
Dil,moj,dil atje,tek pylli
Dil,moj,se më iku syri
Se s’duroj dot

Hajde se këndon bilbili
Apo nuk fryn zefiri
Se u dogja si qymyri
Frymë s’po marr dot

Moj e bukur si prilli
Hajde se të pres fakiri
Mu si dallgë më hidhet gjiri
Zemra fshan me lot…
1 prill 2001
18.Analogji
U mek bilbili tek këndon në pyll
Po ti ku je,e dashura si yll?
Pa shih si e dredh zërin,me derte e qarje
Bilbileshën po ndjell…duket ashiqare

E ndjek nga afër:e shoh që derdhë mall
Mendja tek ti;ku do jeshë,vallë?
Tani s’është punë:i shqeu kordat fare
Duket është si unë:ngarkuar me malle.
2 prill 2001
19.Amor
Shpirtin diçka përbrenda ma bren
Se ç’diçka është,askush nuk e gjen.
Ma bren avash,ma bren ngadalë
A s’bën kështu mola që bren ca trarë?!

Nuk gjej rehat,nuk gjej qetësi
Si mund të qetohem kur ike ti?
S’më vjen të dalë dhe mbeta brenda
Oh,ç’plagë që kam,këtu,përbrenda!

Dhe plaga rrjedhë,dhe plaga dhëmb
Unë vj vërdall dhe hiç nuk zë vënd
Se është një plagë që s’do doktor
Ilaçin e plagës:e ke ti,amor…
2 prill 2001
20.Fati
“Me fatin veç u gridkam kot
Ai më talli dhe më fort…”
Lermentov
Fati me mua bëri si deshi
Kur doja baluke,ai më qethi.
Më la pa punë;pa plangë e shtëpi
Më nisi kurbetit,në pleqëri.

I humba unë me miq e shokë
Dhe vërdallisem,por fare kot
Ditët i shtyj sikur jam murg
Trupin të lirë,po shpirtin në burg.

Më talli dje,më tall dhe sot
Po pse,kështu,o i Madhi Zot?!
Kur e kam radhën të më qeshë fati?
Apo kështu do vdes unë,i ngrati?
3 prill 2001
21.Unë
Unë s’renda pas një dashurie të kotë
As dashuri nuk kërkova me dhunë
Për dashurinë kam qenë zemërdobtë
Gënjështër si Don ZHuan s’përdora unë.

Mua vërtet më rrëmbente një sy
Apo një buzë sensuale që të ndjellë
Unë kam bërë vërtet dashuri
Kur ndjenja qe reciproke,e thellë.

Ndodhte që dikush s’më priti krahhapur
(se bukurosh nuk qeshë si Esenini?!)
Po urrejtje kurrë-kurrë nuk kam shfaqur
Për iksin që s’i pëlqeu Përparimi.

Thashë që kam dashur me zemër,me gjak
Dersa tek unë një ditë erdhë Sika
Dhe ndjenjat i shtypa,i zura në lak
Për Sikën,dhe tash,më bie pika.
3 prill 2001
22..Pritja
Qielli i mbushur plot me yje
Disku i hënës-gjak
Po ti hajde,mikja ime,
Se u mardha pak.

U këput një yll nga qielli
(thashë unë emrin tënd!)
Hajde,moj,të pres,i mjeri
Meraku më çmënd.

Qielli i mbushur plot me yje
Ç’qetësi ka kjo natë!
Ja tek vjen,o shpirtja ime,
Dal të pres me vrap.

Disku i hënës kuqëlon
Në qiellin me yje
PO ne hiç s’na bëhet vonë
Shtrirë në korie.
4 prill 2001
23.Prilli
Ja dhe prilli i magjishëm
Hapi krahët,më pushtoi
Se natyrën ka stolisur
Shih se ç’lule:gjithëfarësoj.

Gjelbërosh e ka bërë pyllin
Shih se ç’fresk e mrekulli
Të dëgjosh një çast bilbilin
Me gojëhapur mbetesh ti.

Ja dhe bletët marrin pjalmin
Tek shetisin nëpër lule
E,mandej,gatisin mjaltin
Mjaltë,se ç’mjaltë, i tëri lule.

I shikoj këto bukuri
Dhe tundohem nga një trill
Them pse,moj bukuri,
Them pse nuk quhesh prill.

Ka më bukur vallë nga prilli
Qielli i pastër dhe pa re
Pale kur ia thotë bilbili
S’ka më bukur përmbi dhe.
6 prill 2001
24.Thanë
Kur humba paratë unë tek “GJallica”
Përjashtim s’do bëja:i vetëm s’isha!
Lajmi u përhap,derë më derë në fshat
Ja,më së fundi,e merr vesh një plak

-Pse edhe Papi i humbi paratë?
Dhe ne e dinim me shkollë,me kartë
Unë e dija të mënçmin e kazasë
Paska qenë budallai i dynjasë…
7 prill 2001
25.Mbi hamak
Mbi hamakun prej rrjete unë tund mbesën
Përballë.mbi hamak,tund çupën ti!
Gjumi të vegjëlit i zë si mbi djepe
ne shikohemi,buzëqeshim,por çfarë tundim me sy?
8 prill 2001
26.Vargu im
Vargu im si dre i plagosur
sa plagë,ka marrë,sa plagë!
Shpirtin e kam të sakatosur
Ndaj vargu më del i vrazhdë.

U vra,mjerisht,vargu im
Poezia,njëkohësisht,u vra
Kurbeti më mbyti hidhërim
Ndaj vargjet i shkruaj me “ah!”

Në se poezia del e stisur
se “majaja” shqiptare mungon
Ndodh se jam i mërzitur
Dhe vargu,s’do mend,që çalon

Çalon si dre i plagosur
Veç plagës do shihni dhe lotë
Por zemra ime e rrebelosur
Skruan se dhimbjen s’mban dot.
8 prill 2001
27.E kam vendosur
Poezinë time do tabëj pushkë
Fishekët me të ardhme do t’i mbush
Do vrasë prapësitë,zëniet-mëritë
Dhe politikanët:cmirëzinjtë!

Me pushkë do dal ballas
Fishekët do zë t’i zbraz radhas
Derisa,ç’thashë lart,t’i shoh shtrirë
Të shpëtojë Shqipëria,njëherë e mirë
8 prill 2001

1 Koment

  1. edrus thotë:

    Me pushkë do dal ballas
    Fishekët do zë t’i zbraz radhas
    Derisa,ç’thashë lart,t’i shoh shtrirë
    Të shpëtojë Shqipëria,njëherë e mirë.

    Pushka Top Përparim Hysi :)

Komento