Poezi të shkruara në prill

1.Me Robert Bërnsin”ngjaj” pak
Pse çuditi?Me Robert Bërnsin “ngjaj”pak
Malësor nga Skocia qe ai,unë nga Skrapari jam me gjak.
Robert Bërnsi,vërtet shkroi vargje,po a nuk qe fshatar?
Po unë a nuk shkruaj vargje dhe a nuk jam dhe unë fshatar?

E kini vënë re?Diku ai e quan veten Robin
E dini përse?”Që të rimojë me emrin tim?!!!”
Në vargjet e tij janë të ëmbël,të gjithë:për flautë e fagotë
Aha,për mua kjo është ëndërr(ja,këtu,s’i ngjaj dot!)

Do të thoni ju::-Shih,pa shih,ç’bën Përparimi!
Dashka të na hiqet,tani,si Robini?!.
Na e heqka veten si poet të rrallë,
Epo vëlla nuk e kam…dhe as kushëri të parë.
20 prill 2001
2.Koha e drynave
Poetit Maku Pone
Ç’të them,ç’të them,o miku im?
Lëre e mos e nga…
Shtëpinë time mbylla me dryn
Në kurbet u nisa…ja.

Dhe gjësend brenda s’ka atje
Miu atje thyen kokën
Po unë me mend nuk di sepse
Atje e paskam kokën.

Jam det,i tëri-pikëllimë
(Kështu jam në kurbet!)
Ah,kohë e “dyerëve me dryn”
Mallkuar,kush qe sebep…
21 prill 2001
3.Mos u bjerë qenëve
Piktorit,Jani Dumi
Jani Dumi qe “boajxhi”,po kish shpirt poeti
Këndonte boja në duart etij,piktor qe nga talenti!
I varfër ishte Jani Dumi,i pasur qe nga shpirti
Ai kish një shpirt pëllumbi,me zemër qe si Krishti

Më zuri nata me Jani Dumin(një natë sterrë,pa hënë!)
Diku me tahmin,kërkoj unë gurin(se na sulmuan ca qenë!)
Çfarë bën?-m’u sul Jani mua.Ç’bën?Mos u bjerë qenëve!
U re qenëve,prishe me mua.Nata është e qenëve!

Na hanë,- kërkoj të mbrohesha unë.-Esheh,e sheh si lehin?
-Mirë bëjnë,- the,o Jani Dum,Qentë për natën i kemi.
Bëmë si bëmë,i shmangëm qentë;me gur unë s’i qëllova
Po kjo ngjarje s’më del nga mendtë.Për Janin ndaj unë shkrova.
21 prill 2001
4..”Lektorja”
Më tha:-Ajo të do,po ti nuk e ke vënë re?!
-Hjade të shkojmë tek stoli ku njeri s’na sheh!

Shkuam edhe tek stoli(u ulëm të dy bashkë)
-Ke puthur ndonjeherë?Më trego,më qafshë!

-Hape pak gojen,se nuk është dhe aq”kollaj”
(MBi buzët e mia,puthje e nxehtë e saj)

-Nëma pak dorën(ma vuri përmbi gji?!)
Tash,hë,-më tha,- fërkoma tani!

-Epo,kjo s’durohet:poqenke fare”bosh”
Po,hë,mor”lumëmadh,pa sulu pak më poshtë!

Dhe,si”mbaruam punë”,më tha:-A e pe?
“AJo ty të do,po ti s’e ke vënë re…”
22 prill 2001
5.Më mori malli për Zoin
Poetit Zoi Dashi
Më mori malli për Zoi Dashin
(Zoin,pa tjetër,t’ma gjeni!)
Atë,të hollin si lapsi
Që në Athinë bën “Jetë qeni” (1)

Gjemani Zoin atje,në Athinë.
A ndoshta ka shkuar gjer në Kretë?
I thoni:-Të pret miku yt,Përparim,
Këtu,në U:S:A;,në kurbet.

Në se me kallo ti ke duarët
Me kallo kam shpirtin tim
Ta dish,sa s’më merr të qarët
Ç’po vuaj, ç’po vuaj,o miku im!

Prandaj,hajde,o mik këtu
Që hallet bashkë t’i qajmë
Po vuaj dhe unë njësoj si ju
Zemra sa s’bën bam…
1.Jetë qeni-libër me poezi nga Zoi Dashi
22 prill 2001
6.Dua të jem cigan
S’di pse m’u tek që të jem cigan
Apo pse ciganët”fis”bredhjen kanë?
Dua që të gjezdis botën me pashë
Ditënetet si ata t’i kaloj jashtë.

Dielli të më nxijë,të më bëjë zezak
Shiu e të ftohtët të me therin në palcë
Erën ta pres me gjoks si Makar Çudra (1)
Çadrën e fundit,ta ngre në Mbrostar-Ura (2)

Aty dua të prehem,tek ura,mbi lumë
S’Ka gjë në jam korb apo qeshë pëllumb
Cigan dua të bëhem dhe hiç s’jam pishman
Se shpirtin kam helm…e kam shafran.
22 prill 2002
1.Makar Çudra-personazh i Gorkit
2.Mbrostar-Ura-fshati im në Fier
7.Më mori malli për një kaba myzeqare
Më mori malli për një kaba myzeqare
Të dëgjoj një orkestër nga ato:me saze!
Të luajë me gërnetë Haxhiu nga Mbrostari
Violinë ta qajë Telua nga Zhupani.

LLahutën ta mbushë siç di Nexhipi
Defin le ta”grisë” si dikur,Xheviti!
Mandej,për vete,të marrin një”xhërr”
Do jepja për”xhërrin” shpirtin të tërë.
23 prill 2001
8.”Orfeu” i vogël
Kryeministri,Mehmet Shehu,kish dalë për gjah
Dëgjon një fyell…dhe gjahun pak e la!
-Ma gjeni fyelltarin!-urdheroi të tijën shpurë
Në pyjet e Lushnjes,ka ndodhur…që kur.

Me mend shkoi në fshat(udhëtoi në Corrush) 1
Kur fyellit i binte,si ai?Rrallkush…
U hap “lukunia” dhe fyelltarin e gjeti
Qe një nxënës shkolle,me dhi qe,i shkreti!

-Pa bjeri pak fyellit,-i tha vogëlushit
Me mendje u “mpak”,udhëtoi drejt Corrushit.
I ra vogëlushi si Pan e Orfe?!
-Bravo të qoftë!Po sa shkollë ti ke?

-Unë sivjet mbaroi klasën e tetë
-A do ta vazhdosh shkollën?-”mysafiri” e pyet..
-Dua,aman,po në shkollë s’më çon dot.
Babanë e kam kulak!!!-E merr vesh,o shok?!

Pa qeshi kryeministri me këtë çiltërsi
-Qenka kulak?!Po ç’ka bërë ai?
-Nuk do kooperativën,atje s’kemi hyrë.
-Mirë,na kënaqe.Tani ditën e mirë!

Por jo me kaq,s’mbaron kjo histori
Se “djalli”,kur thonë,s’është gjithmonë i zi?!!!
Kur erdh shtatori,ky shkoi në lice
Tani është artist dhe falutit i bie.
23 prill 2001
1.Corrush-vendlindja e M.Shehut nëMallakastër.
9.”Nuslala”
Këmbët vrava në ugare
Pas ndoqa një”nuslale”
Nëpër plisa,nëpër gorga
Këmbët seç m’u bënë copa.

Ke parë ti:ishte flatun!
Ç’U djersita,i ziu unë.
Ç’u djersita,ç’u djersita
Nëpër plisa e arrita.

E arrita,e marrë hopa
Dhe e shtriva mu tek gropa
Mu tek gropa,në ugare
Ç’më kënaqe,moj nuslale.
24 prill 2008
10.A jam i lumtur?
Ti më thuaj:-A jam i lumtur që kapërceva këtë prag,
Që ika nga Shqipëria,mijëra kilometra larg?
Po jam i “lumtur”,sa ç’është një mi
Që e kanë zënë me çarg…
24 prill 2001

1 Koment

  1. xhenius thotë:

    mqs dhe une jam larg si ju, e kuptoj,shume mire helmin e shpirtit tuaj,mbase i perket edhe pak moshes sepse,ne kete periudhe te jetes behen bilançet qe ngarkohen nga pendimi dhe nostalgjia.
    komplimenta per penen!

Komento